Botë
Kroaci-kriza e refugjatëve, mbi 1000 emigrantë mbërrijnë në kampin dimëror
04.11.2015 12:26
Afro 1000 emigrantë, shumica e të cilëve sirianë, kanë mbërritur në një kamp të sapondërtuar dimëror në Kroacinë Lindore, pas nisjes nga Serbia...

Ky është hapi parë i implementimit të marrëveshjes së firmosur midis dy vendeve afro një muaj më parë në kuadër të menaxhimit të krizës së azilkërkuesve.
Për transportimin e refugjatëve, autoritetet kanë përdorur trena. Emigrantët do të qëndrojnë përkohësisht në këtë qendër strehimi, për të vijuar më tej rrugëtimin e tyre drejt Evropës Perëndimore.
Mijëra emigrantë të tjerë kanë vijuar rrugën e tyre drejt Evropës Perëndimore, duke kaluar kufirin midis Sllovenisë dhe Austrisë, ndonëse temperaturat kanë shënuar rënie deri në 1 gradë celsius.
Në pikën kufitare që ndajnë dy vendet, me orë të tëra po presin për të kaluar më shumë se 5.300 azilkërkues.
Në mbështetje të policisë kufitare, Austria ka angazhuar edhe firma private të sigurisë, pasi situata në kufi me gjithë ato orë pritjeje është shumë e tensionuar.
“Një herë më dëbuan nga Suedia. Nëse edhe kësaj radhe më kthejnë në Afganistan, vërtetë do të bëj ndonjë çmenduri”- deklaroi emigranti afgan, Muhammed Taha.
Për të menaxhuar akomodimin e tyre, qeveritë kanë bashkëpunuar duke ndarë fluksin e refugjatëve në dy pjesë.
Austria ka akomoduar 2.800 persona pranë kufirit, teksa në anën sllovene ndodhen 2.500 emigrantë.
LEUNORA KALIQI
