Botë

Rumani, dorëhiqet kryeministri Ponta, shkak protesta për zjarrin që shkaktoi 32 viktima

04.11.2015 12:35

Kryeministri i Rumanisë, Viktor Ponta, dha dorëheqjen një ditë pas protestave masive të mbajtura në vend me kërkesën për largimin e kabinetit qeveritar...

Kryeministri i Rumanisë, Viktor Ponta, dha dorëheqjen një ditë pas protestave masive të mbajtura në vend me kërkesën për largimin e kabinetit qeveritar, për shkak të zjarrit masiv brenda një klubi nate që shkaktoi 32 të vdekur.
 
Mbrëmë me mijëra rumunë zbritën nëpër rrugët e qyteteve të mëdha të Rumanisë, duke kërkuar largimin e qeverisë, teksa numri i viktimave nga zjarri i rënë në klubin e natës pak ditë më parë shkoi në 32, ndërkohë që dhjetëra të tjerë janë në gjendje kritike për jetën në spital.
 
Të irrituar për mënyrën se si autoritetet pajisin me leje dhe inspektojnë vendet publike, protestuesit marshuan rrugëve, duke mbajtur parulla si “Korrupsioni vret” dhe duke thirrur në kor “Vrasës!”.
 
Fatkeqësia e fundjavës së kaluar shënon edhe një nga rastet më të rënda në dekadat e fundit në Rumani.
 
Në Bukuresht, rreth 20 mijë njerëz marshuan përpara selisë së Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që protestat u përhapën edhe në qytetet qendrore të Rumanisë, si Brashovi dhe Plojeshti.
 
Ndërkohë, protesta të tjera ishin paralajmëruar se do të mbaheshin përmes organizimeve në rrjetet sociale për ditët e ardhshme, por nuk dihet nëse do të vijohet me to tashmë që kryeministri ka dhënë dorëheqjen.
 
LEUNORA KALIQI