Maqedoni

Ahmeti: Marrëveshja nuk ka alternativë

04.11.2015 15:41

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në selinë e partisë në Tetovë delegacionin e eurodeputetëve të udhëhequr nga Xhani Pitela...

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në selinë e partisë në Tetovë delegacionin e eurodeputetëve të udhëhequr nga Xhani Pitela, kryetarin e Grupit të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian, Knut Flenkeshtajn, nënkryetarin e Grupit të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian, si dhe ish raportuesin e Parlamentit Evropian për Maqedoni, eurodeputetin Riçard Hovit.
 
Ahmeti njoftoi eurodeputetët që këto ditë ka përcjellë qëndrimet e BDI-së deri tek liderët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së rreth urgjencës për ta përmbyllur Marrëveshjen e 2 qershorit dhe ka kërkuar nga ata të mendojnë për shtetin dhe qytetarët dhe jo për partitë.
 
Ahmeti theksoi se “BDI po rishqyrton qasjen e vet, përskaj faktit që ne jemi pjesë konstruktive dhe kontribuuese e arritjes së zgjidhjes dhe gjykojmë që Marrëveshja s’ka alternativë”. 
 
BDI në vazhdimësi ka ndihmuar zgjidhjen e çështjeve dhe ka qenë partner i komunitetit ndërkombëtar, por përgjegjësinë duhet ta ndajnë edhe partitë maqedonase.
 
Realizimi i Marrëveshjes mundëson rikthim në agjendën euroatlantike, që është prioritet absolut i qytetarëve të vendit dhe në veçanti shqiptarëve. 
 
“Eurodeputetët vlerësuan rolin dhe përkushtimin e kryetarit Ahmeti në arritjen e marrëveshjes, si dhe për qëndrimet konstruktive të BDI-së, ndërsa kërkuan zbatim të përpiktë të Marrëveshjes për të vijuar me hapjen e negociatave për anëtarësim në BE”- thuhet në njoftimin e  BDI-së.