Maqedoni

Kryqi i Kuq dhe Ministria e Ekonomisë: Kompanitë t’i ndihmojnë shtresat e rrezikuara

04.11.2015 16:35

Kryqi i Kuq i Maqedonisë për herë të gjashtë organizoi takimin e përbashkët me Ministrinë e Ekonomisë dhe organizatat partnere që veprojnë në vend...

Kryqi i Kuq i Maqedonisë për herë të gjashtë organizoi takimin e përbashkët me Ministrinë e Ekonomisë dhe organizatat partnere që veprojnë në vend, me qëllim të nxitjes së kompanive vendore për t’i dalë në ndihmë popullatës së rrezikuar në shoqëri, duke mbështetur  projektet  për programet e mirëqenies sociale.
 
“Duke iniciuar bashkëpunim me firmat dhe kompanitë e ndryshme, domethënë arrijmë efekt direkt, duke i ndihmuar popullatës së mjeruar. Gjithashtu iniciojmë edhe më tutje aktivitete të ndryshme korporative nga ana e kompanive, po duke bashkëpunuar edhe me qytetarët dhe me kompanitë, dhe në këtë mënyrë arrijmë efekte në të ashtuquajturën ngritje e vetëdijes së qytetarëve për kyçjen në projekte të këtij lloji”- deklaroi sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
 
“Dy vitet e kaluara fillojnë edhe kompanitë e vogla  edhe ato të mesme që të ngritin përgjegjësinë shoqërore dhe që të ndihmojnë Kryqin e Kuq të RM-së, qoftë edhe atë ndërkombëtar, dhe mendoj që kjo praktikë duhet të realizohet dhe duhet të vazhdojë ashtu siç ka filluar. Andaj, unë edhe njëherë publikisht them se këtu jam për t’i dhënë përkrahjen maksimale Kryqit të Kuq dhe kjo përkrahje të vazhdojë edhe më tutje”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Në vazhdën e takimeve të përbashkëta që Kryqi i Kuq çdo vit i organizon me Ministrinë e Ekonomisë, në bashkëpunim edhe me kompanitë e vendit, do të vazhdojë të sigurojë mbështetje të projekteve për programet e mirëqenies sociale, qëllimi i të cilave është përmirësimi i cilësisë së jetës së grupeve të rrezikuara të shoqërisë.
 
Të pranishmit gjithashtu thanë që ky lloj bashkëpunimi mes  institucioneve  dhe partnerëve nga fusha e biznesit ndër vite ka dhënë rezultatet e duhura, andaj do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në vitet e ardhshme.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI