Program për zhvillim të barabartë rajonal, Shabani: Dyfishohen mjetet buxhetore në vitin 2016
42 milion denarë për gjithsej 44 projekte u ndahen komunave në thirrjen e dytë publike në kuadër të programit për zhvillim të barabartë rajonal...
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani, theksoi se gjithsej për vitin 2015 nga buxheti i shtetit janë financuar 107 projekte në vlerë prej 132 milion denarë, që paraqet rritje të dyfishtë për dallim nga viti 2014, ku ishin ndarë 60 milion denarë. Në propozim-buxhetin e vitit 2016 është paraparë rritje e dyfishtë e mjeteve të cilat do t’i dedikohen këtij programi.
“Krahas buxhetit që e kemi në vitin 2015, kemi propozuar dhe është miratuar një buxhet dyfish më i madh për vitin 2016, kjo tregon për tendencën dhe angazhimin tonë serioz për të arritur qoftë obligimin ligjor të realizimit të 1% të BDP-së që ato mjete t’u shpërndahen komunave. Ne jemi të vetëdijshëm që qeveria veç më i shpërndan nëpër komuna, por ne insistojmë që këto t’i kalojnë nëpër formën që është ligjore, të cilën po e kalojmë tani dhe shpërndarja të bëhet e barabartë për të gjitha komunat”- deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani.
Mjetet për nxitje të zhvillimit rajonal të barabartë do të ndahen njëjtë në rajonet planore. Për zhvillim të rajoneve me nevoja specifike privilegj do të kenë 15 komuna, ndërsa do të financohen edhe 12 projekte për zhvillim të fshatrave në 12 komuna.
“Këtë vit, nga numri i përgjithshëm i projekteve, projektet infrastrukturore marrin pjesë me më shumë se 60%, ndërsa prej vitit 2009, shumica e projekteve janë të lidhura me planifikimin dhe ndërtimin e infrastrukturës së komunave”- tha zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski.
Për zbatim më efikas të programit për zhvillim rajonal të barabartë janë propozuar edhe ndryshimet ligjore, të cilat veç më janë në procedurë kuvendore, e që duhet të sigurojnë funksionim më të mirë të qendrave për përkrahje të rajoneve planore, financim dhe qëndrueshmëri më të mirë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
