Procesi i zgjerimit të BE-së, Hahn: Liria e mediave është thelbësore

04.11.2015 16:59

Liria e mediave është pjesë thelbësore e procesit të zgjerimit...

Pa liri të mediave nuk mund të mendohet për një shtet të së drejtës. Kështu ka deklaruar eurokomisari Hahn në konferencën e tretë të lirisë së mediave në Bruksel. Sipas tij, liria e mediave gjendet në kornizat e bisedimeve të BE-së dhe se kjo gjë nuk mund të lihet anash. Nuk mund të llogaritet se ka demokraci dhe shtet të së drejtës nëse gazetarët janë cak i sulmeve, ka thënë Hahn.

“Unë dua që të shoh më tepër nuanca për të vërtetën e pavarësisë së informimit mediatik.  Unë kam marrë pjesë në diskutime politike në vendet tona kandidate  dhe shoh qëndrime politike, se mund të ketë humbës dhe fitues dhe kjo situatë është e rëndë, sepse në fund të bisedimeve gjithmonë ka një kompromis dhe në rastet ideale kompromisi është win-win, respektivisht të dyja palët fitojnë, por të dyja palët duhet të kontribuojnë”- deklaroi eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn.

Politikanët duhet të mësohen me kritika, theksoi nënkryetarja e PE-së, Lunaçek. Me probleme të këtilla ballafaqohen edhe vendet e BE-së, por për lirinë e  shprehjes dhe të mediave nuk duhet të lejohet të ketë hapësirë për bisedime.

“Ne japim përkrahje në atë çka mundemi, që të arrihet demokraci për të siguruar lirinë e shprehjes, mediave dhe pluralizmit mediatik, dhe këto të jenë thelb i demokracisë. Ashtu siç tha komisari, për këto vlera nuk ka vend për bisedime”- tha nënkryetarja e PE-së, Ulrike Lunaçek.

Ndërkaq, sa i përket publikimit të raport-progresit për vendet kandidate, eurokomisari Hahn pas përfundimit të fjalimit të tij ka thënë shkurt se publikimi pritet të ndodhë së shpejti, pa konkretizuar datë. Nga shërbimi informativ i KE-së thonë se kolegjiumi do të mblidhet këtë javë.

“Sa i përket raportit të zgjerimit, procesi i kolegjiumit do të fillojë këtë javë dhe dita e miratimit do të varet kryesisht prej asaj se si do të rrjedhin dhe vijojnë punët në kolegjium”- theksoi zëdhënësja e KE-së, Mina Andreeva.

Jozyrtarisht mësohet se raport-progresi po shtyhet edhe për një javë, me qëllim që Maqedonia ta shpëtojë rekomandimin pozitiv për fillimin e bisedimeve dhe nga ana tjetër politikanët në vend të shfrytëzojnë kohën për tejkalimin e ngërçit politik. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)