Botë

Mustafa: Serbia ka bërë krime në Kosovë, duhet të vetëdijesohet, nuk vendos më për ne

04.11.2015 17:10

Qeveria e Kosovës ka shprehur përkushtim të plotë për përmbushjen e obligimeve të saj, kushtetuese dhe ligjore...

Qeveria e Kosovës ka shprehur përkushtim të plotë për përmbushjen e obligimeve të saj, kushtetuese dhe ligjore, si dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
 
Por, për kreun e ekzekutivit të Kosovës është e papranueshme që një shtet si Serbia me vepra dhe krime që i ka bërë në të kaluarën, nuk ka asnjë të drejtë të vendosë për ardhmërinë e një shteti tjetër dhe të qytetarëve të saj.
 
Sipas tij, për këtë çështje është njoftuar edhe Brukseli zyrtar, ndërkohë që fjalori i palës serbe për Kosovën nuk është asgjë tjetër pos një  vazhdimësi e një fjalori me të cilin Serbia dëshiron shkatërrimin dhe luftën. 
 
“Serbia nuk kërkon asgjë më pak se sa diskriminimin e qytetarëve tanë, diskriminimin e qytetarëve të një vendi të pavarur. Unë konsideroj se Serbia ka nevojë të vetëdijesohet, sepse një shteti i cili nuk është i vetëdijshëm për veprat dhe krimet e tij në të kaluarën, nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e shtetit tjetër, për fatin e njerëzve që kërkojnë dije, paqe, siguri dhe këta njerëz janë njerëz të Kosovës”- deklaroi kryeministri, Isa Mustafa.
 
Kryeministri Mustafa në deklaratën e tij ka shpalosur gjithashtu edhe përfitimet që do t’i ketë Kosova në fushën e arsimit me anëtarësimin e saj në UNESCO. Sipas tij, anëtarësimi në UNESCO do t’i ndihmojë Kosovës që të forcojë lidhjet intelektuale me botën dhe zhvillimin e politikave arsimore.
 
GAZMEND REXHEPI