Rasti i Kumanovës, ngrihet aktakuzë për 29 të burgosurit
Përmbyllet hetimi për rastin e Kumanovës...

Prokuroria e Krimit të Organizuar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 ka ngritur aktakuzë për 29 të burgosurit, në mesin e tyre edhe për Muhamed Krasniqin, i njohur si “Komandant Malisheva” dhe Sami Ukshinin-“Komandant Sokoli”.
Në një kumtesë të shkurtër, Prokuroria Publike njofton se aktakuza ka të bëjë me ngjarjet e nëntë dhe dhjetë majit, ndërkaq të akuzuarit ngarkohen për veprat penale: organizim terrorist dhe terrorizëm.
Nga Prokuroria bëjnë të ditur se bashkë me aktakuzën në Gjykatë është dorëzuar propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit për të akuzuarit. Pasi që të vlerësohet aktakuza, Gjykata Themelore e Shkupit do të caktojë datë për fillimin e procesit gjyqësor. Veçmas pritet të vendoset edhe për vazhdimin e paraburgimit.
Në konfliktin dyditor të majit, në “Lagjen e trimave” në Kumanovë u vranë 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërkaq u arrestuan 30 të tjerë.
Muajin e shkuar, në fund të hetimit Prokuroria liroi nga paraburgimi vetëm policin, Afrim Sulejmani. Sipas provave të Prokurorisë është dëshmuar se ai nuk ka qenë pjesë e grupit të armatosur.
Veç tyre, policia më 15 tetor, në aksione të tjera, në fshatrat e Shkupit dhe Kumanovës arrestoi edhe persona të tjerë me pretekstin se kanë ndihmuar “Grupin e Kumanovës”. Hetimi për këta persona akoma po vazhdon. (Meral Ismaili, TVM2)
