Programet e “Kembrixhit” për arsimin fillor, nga viti i ardhshëm edhe në klasat e 7-ta, 8-ta dhe 9-ta

04.11.2015 17:27

Ministri Ademi vlerësoi se bashkëpunimi me “Kembrixhin” është një nga reformat më të mëdha në sistemin arsimor në Republikën e Maqedonisë....

Ministria e Arsimit, Byroja për Zhvillimin e Arsimit, si dhe Qendra Ndërkombëtare për Programe Mësimore–“Kembrixh” nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në lëmin e adaptimit të programeve mësimore nga lënda e matematikës dhe shkencat natyrore për nxënësit në arsimin fillor nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë.

Ministri Ademi vlerësoi se bashkëpunimi me “Kembrixhin” është një nga reformat më të mëdha në sistemin arsimor në Republikën e Maqedonisë.

“Programet mësimore dhe tekstet e adaptuara për veçoritë tona kombëtare të publikuara në gjuhën maqedonase, shqipe, turke, serbe janë mjet i cili i ndihmon mësimdhënësit  të orientojnë fëmijët drejt të menduarit logjik”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.

“Ndryshimet në arsim gjithmonë janë të vështira, nuk mjafton vetëm që të fusim ngjarje të reja në program, por duhet të trajnohen  mësimdhënësit, t’i sigurojmë libra të reja dhe gjithë këto bëhen në kuadër të reformave”- tha drejtori i përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare për Programe Mësimore–“Kembrixh”, Majkël O'salivan.

Program i “Kembrixhit” në Maqedoni aplikohet që nga viti 2013,  me përfshirjen e programeve të reja mësimore nga matematika dhe  shkencat natyrore  në nivel kombëtar, fillimisht për nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën, ndërsa në fazën tjetër edhe për nxënësit nga klasa e katërt deri në të gjashtën.  Kjo reformë është pranuar tashmë nga 160 vende dhe në mbi 9.000 shkolla. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)