Zbatimi i marrëveshjes, Pitela: Gruevski të finalizojë negociatat; Riçard Hovit: Përmbyllja e marrëveshjes, çështje orësh; Zaev: Nuk ka zgjidhje tjetër, marrëveshja duhet zbatuar
Eurodeputetët, Xhani Pitela dhe Riçard Hovit, janë të pakënaqur për shkak të shkeljes së të gjitha afateve të marrëveshjes politike...

Ata besojnë se zbatimi i marrëveshjes është mënyra më e mirë për të dalë nga kriza dhe se përgjegjësinë për zbatimin e tij e bartin të gjitha palët. Pas takimit me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, dy deputetët e Parlamentit Evropian, Hovit dhe Pitela, thanë se zgjidhja e vetme është implementimi i marrëveshjes politike, si dhe apeluan deri te kryeministri, Nikolla Gruevski, që të mbyllë të gjitha çështjet e hapura të marrëveshjes.
“Marrëveshja kërkon nga partitë, pra nga të gjitha partitë në Maqedoni, që interesin e shtetit ta vendosin në vend të parë, të konfirmojnë angazhimin e tyre në integrimin euroatlantik të vendit, por edhe të konfirmojnë angazhimin e tyre për principet demokratike. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit të finalizojë negociatat me një zgjidhje për çështjet e pazgjidhura dhe të zbatojë reformat e nevojshme që do të çonin në zgjedhje të drejta dhe demokratike. Qeveria dhe kryeministri janë në veçanti përgjegjës në kushtet e krizës politike”- deklaroi eurodeputeti, Xhani Pitela.
“Pajtohem me Xhani Pitelan, ku thotë se ne presim që Marrëveshja e dy qershorit të zbatohet në tërësi. Ndërsa sa i përket raportit për përparimin e vendit drejt BE-së, tani mund të themi se më nuk janë në pyetje ditët, por janë në pyetje orët kur bëhet fjalë për realizimin e marrëveshjes”- tha eurodeputeti, Riçard Hovit.
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, edhe njëherë përsëriti qëndrimin se zbatimi i tërësishëm i Marrëveshjes së Përzhinës është rruga e vetme e cila do të nxjerrë vendin nga kriza politike.
“Tek miqtë tanë dhe mbështetësit e sinqertë ekziston shqetësim serioz nga shkelja e të gjitha afateve të parapara me Marrëveshjen e dy qershorit dhe 15 korrikut nga ana e VMRO-DPMNE-së. Nuk ka zgjidhje tjetër, veç zbatimit të tërësishëm të marrëveshjes”- theksoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Sipas eurodeputetit, Xhani Pitela, të gjitha partitë duhet me urgjencë të punojnë në realizimin sa më të shpejtë të marrëveshjes, pasi që implementimi i saj është thelbësor për raportet ndëretnike dhe stabilitetin e vendit. (Sanije Kasami, TVM2)
