Maqedoni

Grupi punues vazhdon bisedimet, BDI dhe LSDM: Marrëveshja s’ka alternativë

04.11.2015 18:23

Grupet punuese vazhdojnë takimet për zbatimin Marrëveshjes politike të dy qershorit...

Sipas kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, me ndihmën e ndërmjetësuesit Vanhojt dhe ambasadorit të BE-së dhe atij të ShBA-ve, është shënuar progres në bisedime. Nuk përjashtohet mundësia për arritjen e një marrëveshjeje brenda pak ditësh.
 
“Ka lëvizje serioze në bisedime. Grupet punuese po takohen. Ndihma është e mirëseardhur dhe e kryesuar nga Ambasada e BE-së dhe Ambasada e ShBA-ve, gjithsesi ndihmojnë edhe ambasadat e tjera. Këtu është edhe Piter Vanhojt, i cili na ndihmon. Unë pres që sot, nesër ose këto ditë që të rrumbullakojmë arritjen e një marrëveshjeje, në harmoni me atë që e pret opinioni”- deklaroi kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Sipas Zaevit, palët kanë rënë dakord në parim për legjislacionin zgjedhor dhe për Komisionin anketues. Ai theksoi se Marrëveshja politike nuk ka alternativë, prandaj partia që përfaqëson është e gatshme dhe fleksibile në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.
 
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ndan qëndrimin se Marrëveshja politike e qershorit nuk ka alternativë. Gjatë takimit me eurodeputetët: Pitela, Flenkenshtajn dhe Hovit, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka shprehur gatishmërinë dhe fleksibilitetin për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje, njoftojnë nga BDI.
 
“Kryetari i BDI-së, Ahmeti, njoftoi eurodeputetët që këto ditë ka përcjellë qëndrimet e BDI-së deri tek liderët VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së rreth urgjencës për ta përmbyllur Marrëveshjen e 2 qershorit dhe ka kërkuar nga ata të mendojnë për shtetin dhe qytetarët dhe jo për partitë”- thuhet në kumtesën e BDI-së, duke shtuar se BDI në vazhdimësi ka ndihmuar zgjidhjen e çështjeve dhe ka qenë partner i komunitetit ndërkombëtar, por përgjegjësinë duhet ta ndajnë edhe partitë maqedonase.
 
Bisedimet për zbatimin e Marrëveshjes së dy qershorit kanë ngecur te protokolli i 15 korrikut, ku parashihet zgjidhja për zgjedhjen e qeverisë transitore. Siç duket, partitë maqedonase në bisedime në forma të ndryshme i interpretojnë kompetencat e ministrave dhe zëvendësministrave të rinj të paraparë me protokollin e 15 korrikut.
 
Çështje tjetër e hapur është edhe ligji për mbrojtje të privatësisë, që ka për qëllim ndalimin e publikimit të bombave dhe ligji për të ashtuquajturit “pëshpëritës”.
 
SHPËTIM NUREDINI