Janeva kompleton ekipin, Këshilli dritë jeshile edhe për 5 prokurorë
Prokurorja speciale, Katica Janeva, sot përfundimisht mori dritë jeshile nga Këshilli i Prokurorëve për kompletimin e ekipit të saj me 12 ndihmësprokurorë...

Këta prokurorë, së bashku me 7 prokurorët e zgjedhur më herët, nesër edhe zyrtarisht do ta marrin funksionin në ekipin e Janevës.
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, tha se ekipi i Janeves është zgjeruar me kërkesë të saj. Sipas tij, prokurorja speciale, Janeva, atyre u ka dorëzuar shpjegime të reja dhe rrethana të cilat për Këshillin e Prokurorëve kanë qenë të pranueshme.
“Sot prokurorja speciale ka dorëzuar kërkesë për zgjedhje të prokurorëve publik. Në vend 7, kësaj radhe kërkoi 5 ndihmësprokurorë. Në kërkesën, Janeva ka potencuar se do të merren në pyetje më tepër persona nga ajo që në fillim ishte planifikuar, por thekson se do të arrijnë edhe lëndë të reja. Ne këtë e pranuam dhe për këtë shkak e miratuam këtë vendim”- deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.
Prokurorët e zgjedhur janë: Gavril Bubevski, Lençe Risteska, Trajçe Pelivanov dhe Artan Ajro nga Prokuroria Themelore në Shkup, si dhe Lile Stefanova nga Prokuroria për Krim të Organizuar.
Ndryshe, Janeva në fillim ka kërkuar 14 ndihmësprokurorë, ndërsa u miratuan vetëm shtatë. Moskompletimi i ekipit të Katica Janevës ishte “mollë sherri” për bllokimin e bisedimeve dhe mosimplementimit në kohë të Marrëveshjes së Përzhinës.
Dy ditë më parë, Kuvendi Republikan miratoi buxhetin për punën e Prokurorisë Speciale, që kap vlerën prej 1 milion eurosh, e që duhet t’i mbulojnë të gjitha nevojat gjatë punës së saj për tre muajt e parë të këtij viti. (Merita Gashi, TVM2)
