Vllasi: Baza ushtarake në Preshevë, një provokim rus
Pas raportimit të mediave ruse për marrëveshjen e Beogradit me Moskën për vendosjen e një “Bondstilli” rus në qytetin e Preshevës, shumë afër kufirit me Kosovën, i cili do të lidh një sistem të fuqishëm të raketave ruse, analistët e shohin këtë veprim vetëm një provokim nga ana e Rusisë...

Azem Vllasi, analist dhe njohës i mirë i zhvillimeve politike edhe në raport me Serbinë ka thënë se ky është vetëm një provokim nga ana e Rusisë.
“Ky është vetëm një provokim, Rusia është duke i bërë disa provokime para së gjithash të tërheqë vëmendjen e perëndimorëve prej Ukrainës dhe përzierjes së saj në Siri, në të kundërtën në asnjë pjesë të botës, sidomos jo në Ballkan dhe në Evropë, rusët nuk i kërcënojnë amerikanët, nuk ka kërcënim të ndërsjellët në mesë të rusëve dhe amerikanëve. Ky është vetëm një lloj provokimi, pak për t’ua bërë qejfin serbëve e pak për t’u ndenjur karshi amerikanëve edhe asgjë tjetër të rrezikshme nuk ka”, ka thënë Vllasi.
Ndër të tjera, Vllasi ka thënë se kjo nuk paraqet rrezik as për Ballkanin dhe as për Kosovën.
Sipas tij, Rusia ka për qëllim të pengojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
“Kjo nuk paraqet rrezik as për Ballkanin e as për Kosovën, tash janë pozicionuar nëpër Ballkan, amerikanët janë shtrirë në perëndim më gjerë, rusëve u ka mbetur si bazë Serbia e cila është me një këmbë në Rusi me një këmbë në Unionin Evropian. Rusia është duke u munduar të përziejë diçka në Malin e Zi, duke u munduar ta pengojë Malin e Zi që të mos anëtarësohet në NATO, këto rivalitete janë këtu nëpër Ballkan”, tha Vllasi.(Zëri)
