Botë
Bukuresht, protesta pavarësisht dorëheqjes së kryeministrit
05.11.2015 09:48
Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Bukureshtit disa orë pasi kryeministri, Viktor Ponta, dha dorëheqje, pas një zjarri vdekjeprurës në një klub nate...

Demonstruesit marshuan drejt parlamentit, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe reforma të mëtejshme politike.
Tubimet janë raportuar edhe në qytetet e tjera të mëdha, duke përfshirë Clujn, Timisoaran dhe Konstancën.
Një ditë më parë, rreth 20 mijë protestues u mblodhën në Bukuresht, të zemëruar mbi vdekjen e 32 personave, pas një zjarri që ndodhi në një klub nate, në 30 tetor.
Shqetësimet lidhen me korrupsionin, i cili sipas protestuesve rrezikon edhe sigurinë e qytetarëve. Kjo ka nxitur edhe zemërimin e publikut kundër elitës politike.
Ponta, i cili po përballet me gjyqin për akuza korrupsioni, tha se shpreson që me dorëheqjen e qeverisë së tij do të "kënaqë njerëzit që dolën në rrugë."
Presidenti, Klaus Iohannis, pritej të fillojë konsultat me partitë politike për të zgjedhur një kryeministër dhe të formojnë një qeveri të re.
