Isa Mustafa: Serbia s'mund ta ndalë anëtarësimin në UNESCO
Fushata e Serbisë kundër anëtarësimit në UNESCO nuk mund ta ndalë Shtetin e Kosovës për t’u bërë anëtare e kësaj organizate...

Kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës, Isa Mustafa, i cili së bashku me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajramin, prezantuan përfitimet e Kosovë në UNESCO në fushën e arsimit.
Deklaratat e qeveritarëve dhe kishës serbe kryeministri i ka quajtur të papranueshme, duke potencuar se Kosova do të dalë fitimtare në këtë çështje.
“Konsideroj që Serbia ka nevojë të vetëdijesohet se një shtet, i cili nuk është i vetëdijshëm për veprat dhe krimet e tij në të kaluarën, nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e shtetit tjetër, për fatin e njerëzve që kërkojnë dije, që kërkojnë paqe dhe kërkojnë siguri. Fjalori i qeveritarëve serbë dhe kishës ortodokse është i papranueshëm dhe akuzat janë të politikës së mëparshme serbe. Serbia, në mungesë të argumenteve, po shërbehet me argumente të tilla. Kosova do të dalë fitimtare”- ka thënë Mustafa.
Ai beson fuqishëm se data 9 nëntor do të jetë festë, pasi që Kosova do të bëhet pjesë e kësaj organizate. Mustafa ndër të tjera theksoi se Kosova ka çfarë t’i ofrojë UNESCO-s.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili po merr pjesë në debatin mbi politikën e përgjithshme të UNESCO-s, shpreson për një rezultat të favorshëm të votimit, duke theksuar kështu se Serbia do të luftojë deri në momentin e fundit që Kosova të mos pranohet në UNESCO.
