Futboll

Bajerni poshtëron Arsenalin, Roma fitore dramatike ndaj Leverkusenit

05.11.2015 13:00

Arsenali është pranë eliminimit nga faza e grupeve të Ligës së Kampioneve, pasi në katër takime të luajtura ka fiksuar tre humbje...

Topxhinjet  humben  ndeshjen e radhës me Bajernin e Munihut, të cilin e kishte mundur dy javë më parë në Londër me shifrat 2-0. Mbrëmë anglezët ishin në ditë të keqe dhe pësuan disfatë të rëndë, duke mos u matur me kundërshtarin.

Bajerni vendosi diktatin që në pjesën e parë, ku realizoi tre gola me anë të Levandovskit, Mullerit dhe Alabës.

Në pjesën e dytë gjermanët shënuan edhe dy gola të tjerë me anë të Roben dhe Tomas Muller.

Për Arsenalin shënoi golin e nderit Xhiraud. Në të njëjtin grup, Olimpiakos-Dinamo e Zagrebit përfundoi me rezultatin 2-1, me grekët që shkojnë në 9 pikë, bashkë me Bajernin që ka po 9 pikë dhe vetëm matematikisht u duhet nga një pikë të jenë të kualifikuar.  

Në grupin E, Barcelona nuk zhgënjeu ndaj Bate Borisovit, duke fituar me rezultatin 3-0 dhe duke siguruar kualifikimin në raundin tjetër të Champions.

Padyshim, ndeshja më e rëndësishme e këtij grupi ishte ajo midis Romës dhe Leverkusenit, që luhej për vendin e dytë.

Italianët treguan superioritet që në fillim dhe bënë diktatorin në këtë ndeshje.

Barazimi i minutave të fundit dy javë më parë në Gjermani, me shifrat 4-4, u kishte lënë shije të hidhur romanëve, prandaj dje u duk se e zgjidhën shpejt ndeshjen, duke fituar pjesën e parë 2-0 me golat e Salah dhe Xheko. Por gjermanët barazuan në fillimin e pjesës së dytë me Admir Mehmetin dhe Havier Hernandez.  

Diferencën në fund e bëri Pjaniç nga penalltia, që realizoi golin e një fitoreje tepër të vuajtur.

Gara për vendin e dytë është e hapur. Në grupin G, Çelsi kthehet tek fitorja pas shumë kohësh, duke mundur Dinamon e Kievit 2-1 dhe duke marrë tri pikë të çmuara për vazhdimësinë.

Për skuadrën e Hoze Murinjos gjërat ecën mbarë, pasi ukrainasit shënuan autogol që në fillim, gjë që ua bëri të lehtë londinezëve. Po në këtë grup, Porto siguroi një fitore me vlerë ndaj Makabit të Tel Avivit, 1-3, duke ruajtur kryesimin në kuotën e 10 pikëve dhe praktikisht kualifikimin.

Në grupin H, Genti befasoi Valencian, duke fituar 1-0 dhe rihapur garën për vendin e dytë, kurse Zeniti fitoi në fushën e Lionit 2-0 dhe siguroi matematikisht kualifikimin.