Maqedoni

Katica Janeva kompletoi ekipin, prokuroret dhanë betimin solemn

05.11.2015 14:31

12 ndihmësit e prokurores speciale dhanë betimin solemn në Këshillin e Prokurorëve, me çka ekipi i Prokurorisë Speciale llogaritet i kompletuar dhe nga e hëna do të fillojë me punë...

Pesë prokurorët u votuan dje, ndërsa shtatë u zgjedhën më 14 tetor. Prokurorja speciale, Katica Janeva, tha se nuk e din numrin e saktë të lëndëve, por se nga dita e hënë do t’u drejtohet institucione për të kërkuar lëndët e nevojshme. 
 
“Ekipi është një përzierje e përvojës dhe rinisë, të gjithë janë autoritative, profesionale dhe të besueshme, persona të cilët e dinë se mund t’i përgjigjen sfidës. Në periudhën që kaluam biseduam me anëtarët e Këshillit se si të duket ekipi dhe vendosëm për 12 prokurorët të cilët u zgjodhën sot. Së bashku vendosëm të heqim dy kandidatë. Nga e hëna ne fillojmë të punojmë në mënyrë aktive në përputhje me ligjin. Ne nuk e dimë numrin e lëndëve, por të hënën do të fillojmë t’ju drejtohemi institucioneve në përputhje me ligjin”- deklaroi prokurorja speciale, Katica Janeva.
 
Janeva nuk deshi të japë detaje për punën e Prokurorisë Speciale, por tha se nuk pret obstruksione gjatë marrjes së lëndëve. 
 
“Zyra ime është përgatitur tashmë për të ndërmarrë punën dhe prokurorët vetë do të duhet të zgjedhin ekipet me të cilët do të punojnë. Është planifikuar që çdo prokuror të marrë dy hetues dhe dy bashkëpunëtorë. Unë nuk pres obstruksione gjatë marrjes së lëndëve”- tha Janeva. 
 
Paralajmërimet se Ligji për Prokurorinë Speciale mund të hidhet poshtë në Gjykatën Kushtetuese, Janeva thotë se kjo Gjykatë duhet të respektojë ligjet dhe medoemos duhet të sjellë vendim në përputhje me ligjet.
 
SANIJE KASAMI