UNHCR: Vala e emigrantëve edhe gjatë dimrit

05.11.2015 15:13

Vala e emigrantëve ka shumë të ngjarë që do të vazhdojë në Evropë, në një shifër mesatare deri në 5 mijë emigrantë edhe gjatë dimrit përmes Turqisë, kanë deklaruar Kombet e Bashkuara...

Ata kanë bërë thirrje për më shumë fonde për të shmangur tragjeditë në Greqi dhe në Ballkan gjatë muajve të ardhshëm, raporton AP.

Më shumë se 760 mijë njerëz kanë kaluar tashmë Mesdheun deri më tani gjatë këtij viti, kryesisht përmes Greqisë dhe Italisë. Shumica nga emigrantët vijnë nga Siria, Afganistani dhe Iraku, si dhe Afrika."Kushtet e vështira të motit në rajon ka të ngjarë të përkeqësojnë vuajtjet e mijëra refugjatëve dhe emigrantëve në Greqi dhe atyre që udhëtojnë nëpër Ballkan."

"Kjo mund të rezultojë me humbje të tjera të jetëve, nëse masat e duhura nuk merren urgjentisht”, vlerëson komisionari i lartë i OKB-së për refugjatët.

"Plani i ri për dimër i UNHCR-së parashikon se mund të ketë deri në 5.000 emigrantë në ditë nga Turqia, në mes të muajve nëntor 2015 dhe shkurt 2016.”

UNHCR-ja është duke kërkuar një shtesë prej rreth 100 milionë dollarësh për të mbështetur Kroacinë, Greqinë, Serbinë, Slloveninë dhe Maqedoninë në ballafaqim me krizën e emigrantëve. Fondet e reja do të përdoren për të përmirësuar strehim, për të furnizuar emigrantët me tenda, për të përmirësuar furnizimin me elemente sanitare, si dhe me ujë.

Ndërkohë, Gjermania, ku është strehuar numri më i madh i emigrantëve, ka paralajmëruar fillimin e kthimit të azilkërkuesve shqiptarë dhe azilkërkuesve tjerë nga vendet ballkanike. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)