Maqedoni

Eurodeputetët, Sholtes dhe Harms: BE nuk i ka mbyllur dyert për Ballkanin

05.11.2015 15:51

Dyert e BE-së nuk janë të mbyllura për Ballkanin, por Evropa ka një sërë rekomandimesh për vendet aspirante në plotësimin e kushteve, përfshirë këtu edhe Maqedoninë...

Kjo u tha sot nga eurodeputetët në debatin për integrimin e Maqedonisë. Institucionet e pavarura, mungesa e një trupi për kontrollimin e financave në fushata parazgjedhore, kthimi i besimit të qytetarëve në punën e institucioneve, si dhe mungesa e lirisë së mediave janë disa nga problemet që duhet t’i tejkalojë vendi, theksuan eurodeputetët.  
 
“Maqedonia pret tepër shumë në procesin e integrimit dhe kjo mund të ketë pasoja dhe të gjithë ne mendojmë se koha është të fillojnë negociatat, por nga ana tjetër na vijnë informacione për prolongim, për shkak të problemeve që ka shteti. Në të shumtën e rasteve shohim mungesën e pavarësisë së institucioneve. Ne e dimë se dikush duhet të emërojë, por shpesh këto gjëra përzihen, e kam fjalën për ombudsmanin, prokurorin dhe gjyqësorin”- deklaroi eurodeputeti, Igor Sholtes.
 
“Konsideroj se ka probleme të shkaktuara nga vet shteti dhe për këtë nuk mund të akuzohet Brukseli. Për mendimin tim, përgjegjësia i bie shtetit, por edhe Evropës për ta ndihmuar. Mendoj se duhen të hapen kapitujt 23-24,  që do të kontribuonte në krijimin e kushteve të aderimit të Maqedonisë në BE, por edhe për vet demokracinë”- tha eurodeputetja, Rebeka Harms.  
      
Ndërkaq, zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi, edhe njëherë theksoi se raport progresi për Maqedoninë dukshëm do të kushtëzojë  rekomandimin pozitiv. Ndërkaq, përsëriti se vendi nuk ka alternativë tjetër pos integrimit.                     
 
“Me keqardhje e them se vend të konsiderueshëm në përmbajtjen e  raportit do të zë kriza politike, por me një optimizëm se kjo krizë është e kanalizuar dhe ka mundësi për t’u zgjidhur”- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.                            
                                                                       
Ermira Mehemti nga BDI kërkoi inkuadrimin më të madh të kuvendit në proceset politike që çojnë në eurointegrim.
 
“Ne si kuvend, si organ përfaqësues, duhet të kërkojmë dhe kemi të drejtë, pavarësisht dallime politike, kemi të drejtë, për të mos thënë obligim para votuesve tanë, të kemi një përfshirje më të madhe në këtë proces”- u shpreh kryetarja e Komisionit për Eurointegrime, Ermira Mehmeti.                          
       
Këto komente u bënë në debatin publik të Komisionit për Eurointegrime në Parlamentin Republikan lidhur me rrugën e Maqedonisë drejt BE-së.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU