Adnan Jashari: “Monstra” dhe “Sopoti” t’i kalojnë Janevës

05.11.2015 16:01

Rastet “Monstra” dhe "Sopot" duhet t’i trajtojë Prokuroria Speciale edhe atë me prioritet, kështu është shprehur ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, në një prononcim për media, raporton Agjencia e Lajmeve “Anadolu”...

Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë që të pastrohen dilemat në opinion se bëhet fjalë për raste të montuara apo jo.

“Rastet që janë të njohura në RM, të cilat kanë karakter etnik, siç është “Sopoti”, “Monstra” dhe rastet e tjera, janë raste që për shkak të qëllimit të tyre, në njëfarë mënyre ndikueshmërisë së tyre në opinion, janë raste që duhet sa më shpejtë dhe sa më parë të pastrohen, me tendencë që të evitohet mendimi që ekziston tek opinioni se janë të montuara apo se nuk janë të montuara, se ka ndikim politika në zgjidhjen e tyre apo nuk ka ndikim politika"- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.

Pavarësisht nga epilogu i rasteve, ministri Jashari thotë se Prokuroria Speciale është e obliguar që në bazë të informatave të iniciojë procedurë për t'i zbardhur rastet.

“Shpresoj se pa marrë parasysh epilogun, prokurorja speciale në parim, në bazë të informatave që do të ketë, është e obliguar që të iniciojë procedurë dhe deri në fund të pastrojë këtë rast, që edhe njëherë do të them se është rast i mirëpritur në të gjithë opinionin në vend, por pse jo edhe më gjerë”- tha Jashari.

Ndryshe, në rastin “Monsrtra” Gjykata Themelore Shkupi 1 dënoi 6 persona me burg të përjetshëm nën akuzën për vrasjen e pesëfishtë afër liqenit të Smilkovcit, në prill të vitit 2012, ndërsa gjithashtu në rastin e “Sopotit” me burg u dënuan 11 persona nën akuzën se kishin vendosur mjetin shpërthyes në hekurudhën mbi këtë fshat, në vitin 2003, ku si pasojë humbën jetën dy ushtarë polakë të NATO-s. (Naim Ramadani, TVM2)