Maqedoni
Bakiu: Presioni në prapaskenë afroi qëndrimet politike
05.11.2015 16:41
Afrimi i qëndrimeve të përfaqësuesve të partive në Grupin e punues vjen si rezultat i presioneve në prapaskenë të faktorit ndërkombëtar para publikimit të progres raportit...

Kështu vlerëson analisti, Bashkim Bakiu, sipas të cilit Grupi punues do të jetë i detyruar të përmbyll marrëveshjen politike.
“Prapa skenës do të zhvillohen bisedime, respektivisht presionet e BE–së ndaj Maqedonisë për t’u përfunduar Marrëveshja e Përzhinës dhe kjo i detyron partitë politike dhe të gjithë aktorët të involvuar në krizë për të arritur marrëveshje në këtë periudhë, në formë të shprintit të përfundojnë me marrëveshjen dhe të niset funksionaliteti i institucioneve”- deklaroi analisti, Bashkim Bakiu.
Tanimë një javë është prolonguar publikimi i progres raportit për Maqedoninë. Bakiu thotë se raporti do të publikohet me arritjen e marrëveshjes.
“BE është në situatë më të favorizuar për ta kushtëzuar Maqedoninë, edhe pse këto ditë ishte afati për të publikuar progres raportin për përparimin e Maqedonisë në rrugën e integrimeve evropiane, si duket kjo do të prolongohet. Në të kundërtën, duhet të kishte një raport krejtësisht negativ dhe jam i mendimit se BE do t’i drejtohej Maqedonisë me një rekomandim të kushtëzuar”- theksoi analisti, Bashkim Bakiu.
Nga finalizimi i Marrëveshjes së Përzhinës varej edhe rekomandimi për Maqedoninë, ka pohuar dje edhe vetë komisari për zgjerim, Johanes Hahn.
MERAL ISMAILI
