BE mbështet përmirësimin e kushteve në burgje

05.11.2015 17:00

Qëllimi kryesor është përforcimi i kapaciteteve organizative dhe udhëheqëse të burgjeve, sigurimi i mbrojtjes së plotë dhe parandalimi i sjelljes së keqe nëpër burgje me personat e paraburgosur dhe të dënuar....

Zgjerim i kapaciteteve ekzistuese nëpër burgje, përmirësim i kushteve kadrovike, trajnim i veçantë i të punësuarve nëpër burgje dhe polici në drejtim të respektit të të drejtave të burgosurve, janë ndër rezultatet e arritura me projektin “Ndërtim i kapaciteteve të agjencive për zbatimin e Ligjit për trajtim të duhur të të paraburgosurve dhe personave të dënuar".

Qëllimi kryesor është përforcimi i kapaciteteve organizative dhe udhëheqëse të burgjeve, sigurimi i mbrojtjes së plotë dhe parandalimi i sjelljes së keqe nëpër burgje me personat e paraburgosur dhe të dënuar.

“Është vendosur një rrjet i edukatorëve ku nga ana e tyre janë realizuar një numër i madh i trajnimeve të nëpunësve policor për të drejtat e njeriut, për ligjeslacionin nacional, si dhe për standardet evropiane që kanë të bëjnë me parandalimin e sjelljes së keqe nëpër burgje”- deklaroi Toni Stankovski nga Byroja për Siguri Publike.

“Punojmë në drejtim të arritjes së këtij qëllimi përmes mënyrave të ndryshme, siç janë: monitorimi dhe informimi si dhe mbështetja e vendeve dhe organizatave ndërkombëtare që punojnë në këtë drejtim. Ne do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë për institucionet gjyqësore dhe për sistemin e burgjeve, me qëllim të përmirësimit të nivelit për respektimin e të drejtave të njeriut”- tha përfaqësuesi i BE-së, Martin Claucke.

Stërngarkimi i burgjeve në Maqedoni, resocializimi dhe rehabilitimi i të burgosurve mbeten probleme kryesore të cilat duhet zgjidhur urgjentisht, thonë drejtuesit e burgjeve.                

“Problemi kryesor mbetet edhe më tej stërngarkimi i burgjeve në Maqedoni. Mendoj se ky problem duhet  të fillojë të zgjidhet”- theksoi drejtori i Burgut të Idrizovës, Zhivko Pejkovsi.

“Shteti  tashmë duhet të jep maksimumin për të tërhequr dhe për të përfituar benefitet nga realizimi i këtij projekti”- u shpreh ish gjykatësja e Strasburgut, Margarita Caca-Nikolovska.

Projekti kishte të bënte me dy komponenta, me sistemin ndëshkues dhe policinë. Në lidhje me policinë duhet të arrihet zhvillim i kapacitete për sigurimin e profesionalitetit i cili do të garantojë respektim të plotë dhe përmbushje të standardeve evropiane, tha përfaqësuesi i BE-së në konferencë.

Projekti për përforcimin e kapaciteteve nëpër burgje realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë. I njëjti filloi të realizohet që nga viti 2011 dhe do të zgjasë deri në fund të këtij muaji. Projekti në fjalë kap vlerën prej 2 milion e 100 mijë eurosh, prej të cilave 1.8 milion janë të siguruara nga Bashkimin Evropian, 100 mijë nga Këshilli i Evropës dhe 200 mijë nga Qeveria e Maqedonisë.

Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, vlerësoi se aktivitetet e tilla të realizuara deri më tani kanë mundësuar të përmirësohen dukshëm kushtet dhe kapacitetet e burgjeve në përgjithësi dhe tha se duhet vazhduar edhe më tej me aktivitete të këtilla. (Rexhep Qamili, TVM2)