Qeveria miratoi vendimin, në kufirin Maqedoni-Kosovë me letërnjoftime

05.11.2015 17:19

Së shpejti shtetasit e Maqedonisë dhe Kosovës do të mund të kalojnë kufitarin vetëm me letërnjoftime...

Pas negociatave disamujore është arritur marrëveshja në mes qeverive të të dyja vendeve për kalim të kufijve me letërnjoftim biometrik, e cila tanimë është miratuar edhe nga Qeveria e Maqedonisë, konfirmon zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Ai shpjegon se marrëveshja do të duhet të kalojë për ratifikim në kuvendet e të dyja vendeve dhe pas saj qytetarët do të mund lirshëm të kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftime.

“Në seancën e fundit ne e kaluam marrëveshjen e harmonizuar mes dy vendeve dhe njëkohësisht obliguam ministrin e Punëve të Jashtme, zotri Popovskin, që të nënshkruaj këtë marrëveshje me ministrin e Jashtëm të Kosovës, marrëveshje e cila më pas me propozim-ligj do të vijë për ratifikim në Parlamentin e Maqedonisë dhe pas ratifikimit kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi, dhe të gjithë qytetarët, pra shtetasit e të dy vendeve, mund të kalojnë në të gjitha kalimet kufitare me Republikën e Kosovës me letërnjoftim biometrik”- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë së RM-së, Muhamet Hoxha.

Ndërkohë, BDI përshëndet vendimin e Qeverisë për miratimin e marrëveshjes për kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftime.

“Duke iu dhuruar qytetarëve në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti  një lajm të shumëpritur, BDI dhe kryetari i saj, Ali Ahmeti, ndjehen të lumtur që së shpejti shtetasit e njërit apo shtetit tjetër mund të hyjnë në territorin përkatës me letërnjoftime biometrike dhe pa viza në të gjitha vendkalimet kufitare, kurse opinionit publik i dërgohet edhe një sinjal pozitiv se përfaqësuesit shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë kanë sens dhe gatishmëri që t’i artikojnë drejt interesat kombëtare të shqiptarëve, pa marrë parasysh se ku jetojnë ata”- thuhet nga BDI.

Sipas autoriteteve, marrëveshja bindshëm do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve të të dy shteteve dhe të ndikojë në përafrimin e dy vendeve. Marrëveshja është në kuadër të bashkëpunimit rajonal, që Maqedonia e ka me vendet e rajonit. (Ersan Pajaziti, TVM2)