Mblidhet Grupi punues dhe liderët e partive, pritet finalizimi i çështjeve kyçe të marrëveshjes
Pas takimit pesëorësh të Grupit të punës në Klubin e deputetëve janë mbledhur edhe liderët e katër partive nënshkruese të Marrëveshjes politike...

Siç mësohet, edhe më tej pengesë kryesore mbetet çështja për Qeverinë kalimtare, respektivisht kompetencat e ministrave dhe zëvendësministrave, edhe pse jozyrtarisht mësohet se është arritur kompromis që t’i mundësohet e drejta e vetos zëvendësministrit të Punëve të Brendshme nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Në rast kundërshtimesh mes ministrit dhe zëvendësit, çështja do të kalojë në kompetencë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Për shkak të mungesës së besimit të ndërsjellë mes partive maqedonase, zëvendës do të kenë edhe kuadrot e reja, që do t’i emërojë ministri i Brendshëm. E drejta e vetos për çështjet e zgjedhjeve do të realizohet që nga emërimi i funksionarëve të rinj.
Grupi i punës, i cili ka filluar takimin që në orën 11 të paradites, po diskuton edhe Ligjin për të ashtuquajturat “bomba”, i cili do të hartohet sipas modelit francez.
Afrim qëndrimesh është shënuar edhe për Ligjin për mbrojtjen e të ashtuquajturve “pëshpëritës”, i mbështetur në praktikën evropiane.
Në orët e pasdites Grupit iu bashkëngjitën edhe pjesëtarë të tjerë të angazhuar nga partitë përkatëse për arritjen e marrëveshjes për Komisionin Hetues Parlamentar për shqyrtimin e përgjimit të paligjshëm.
Në takim, ndërkombëtarët kanë çmuar kompletimin e ekipit të prokurores speciale, duke e cilësuar si një hapërim drejt zbatimit të Ligjit për prokuroren speciale edhe marrëveshjen e dy qershorit.
Nëse palët finalizojnë marrëveshjen për Ligjin për qeveri dhe atë për “bombat”, nuk përjashtohet mundësia që këto ligje dhe pakoja zgjedhore të futen në procedurë parlamentare që nesër. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
