NBA, fitore në sekondën e fundit për Washington
Fitore në frymën e fundit për Washington Wizards në NBA...

Një realizim i saktë nga vija për tre i Bradley Beal 0.3 sekonda përpara rënies së sirenës, i dha fitoren 102-99 skuadrës kryeqytetase ndaj San Antonio Spurs në Verizon Center.
Ky ishte suksesi i 3-t për Washington në 4 ndeshje sezonale. Sfida nisi me dominimin e Wizards.
Një zhytje në kosh me të dyja duart e Kris Humphries pas asistit të John Wall i coi shifrat 19-2 në favor të vendasve kur kishin kaluar vetëm 5 minuta lojë. Por vetëm kaq zgjati magjia e Washington sepse San Antonio reagoi menjëherë duke regjistruar një rezultat të pjesshëm 21-2 për ta mbyllur periodën e parë në avantazh të një pike.
Edhe 12 minutëshi i dytë ishte nën shenjën e skuadrës së Gregg Popovich. Kawhi Leonard, i cili realizoi në total 23 pikë për San Antonio ndihmoi formacionin nga Texasi ta mbyllte pjesën e parë me avantazhin 51-47.
Spurs-at kishin në kontroll lojën teksa një trepikësh i Danny Green në fillimin e periodës së tretë e zgjati në +9 epërsinë e tyre. Në 12-minutëshin e fundit atëherë kur askush nuk e parashikonte erdhi edhe kthesa e madhe e skuadrës së trajnerit Randy Wittman.
Falë një Bradley Beal në formë të jashtëzakonshme që e mbylli ndeshjen me 25 pikë në total dhe një realizimi të John Wall kryeqytetasit përmbysën gjithcka 3 minuta përpara fundit duke marrë kryesimin 94-92.
Por një trepikësh i Tony Parker riktheu Spurs-at në ndeshje duke barazuar shifrat 99-99. Kur gjithcka u duk se do t’i drejtohej shtesës erdhi edhe goditja e saktë nga vija për 3 e Bradley Beal që i dha fitoren 102-99 Washingtonit. Te Wizards përvec Beal spikati edhe John Wall me 17 pikë 13 asiste. Për San Antonion kjo ishte disfata e dytë në 5 ndeshjet e para.
Në sfidat e tjera të mbrëmjes së NBA, bie në sy suksesi i Toronto Raptors që regjistroi fitoren e 5-t radhazi pasi kaloi në transfertë me rezultatin 103-98 Oklahoma City Thunder. Vazhdon ecurinë perfekte edhe Golden State Warriors. Kampionët e NBA siguruan triumfin e 5-t në po kaq takime pasi mposhtën në Oakland, Los Angeles Clippers me shifrat 112-108. Magjik ylli i Warriors Stephen Curry me 31 pikë 4 asiste dhe 5 rebound.
