Maqedoni

Finalizohet Marrëveshja e Përzhinës, liderët u dakorduan për të gjitha pikat kontestuese

06.11.2015 07:37

Pas 12 orësh bisedime intenzive, partitë politike më në fund u dakorduan për të gjitha pikat që dalin nga Marrëveshja e Përzhinës...

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski, do të jetë ministër i ri i Punëve të Brendshme, kurse ministritë tjera që do të duhet të udhëhiqen nga partia opozitare janë edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila do të udhëhiqet nga Frosina Remenski.
 
VMRO-DPMNE në këto ministri do të ketë zëvendësministra, të cilët do të kenë të drejtë veto ndaj vendimeve të ministrave vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të jetë i obliguar për zgjidhjen e problemit lidhur me interpretimet e ndryshme të çështjes lidhur me zgjedhjet.
 
Një ndër temat më të nxehta gjatë të gjithë takimeve ishte Ligji për “bombat” dhe data e zgjedhjeve. Liderët megjithatë më në fund arritën qëndrime të përbashkëta edhe rreth këtyre pikave kontestuese me muaj të tërë.
 
Data e parashikuar për zgjedhjet e ardhshme do të mbetet e njëjtë, kurse Ligji për “bombat” parashikon dënime për mediat vetëm për publikimin e bisedave private, por jo për biseda që kanë të bëjnë me interesin publik.
 
Sipas marrëveshjes, për Ligjin për “bombat” do të kërkohet mendim nga Komisioni i Venecias.
 
MERITA GASHI