Maqedoni
BDI: Nga marrëveshja nuk ka fitues dhe të humbur
06.11.2015 08:51
BDI përshëndet arritjen e marrëveshjes së liderëve mbrëmë. Në takimin e mbrëmshëm u konfirmua edhe kërkesa e BDI-së...

BDI përshëndet arritjen e marrëveshjes së liderëve mbrëmë. Në takimin e mbrëmshëm u konfirmua edhe kërkesa e BDI-së që zgjedhjet e parakohëshme Parlamentare të mbahen më 24 prill 2016 dhe që mos të ketë shtyerje të zgjedhjeve, ndërsa më herët u kompletua edhe ekipi i Prokurores Speciale.
“Pozitat e shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv mbetën të paprekuara, ndërsa sipas marrëveshjes, ndryshime, kontroll dhe ndarje të ndërsjellë të pushtetit do të ketë vetëm midis VMRO DPMNEsë dhe LSDMsë për arsye të përplasjeve dhe mosbesimit në mes të dy partive maqedonase që edhe sollën gjer në krizën politike më të thellë në vend”, thonë nga BDI.
Lideri I BDI-së Ahmeti theksoi që nga kjo marrëveshje nuk ka as fitues, por as humbës duke shtuar që përmbyllja e çështjeve të hapura paraqet zhvillim të mirë për vendin dhe për qytetarët.
“Përmbyllja e këtyre çështjeve nënkupton vazhdimësi të reformave strukturore në përputhje me Rekomandimet e BEsë, rikthim të stabilitetit politik dhe sigurisë në vend si dhe paraqet garancë për mbarëvajtje të zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Të gjitha këto na rikthejnë fuqishëm në rrugën e integrimit EuroAtlantik që është prioritet absolut i qytetarëve tanë”, ka deklaruar Ahmeti.
Karakteristikë tjetër e këtyre negociatave, që nga Ligji për Prokurorinë Speciale gjer te Kodi Zgjedhor, është zgjërimi i fushave të përdorimit të shumicës së dyfishtë (Badinterit) dhe promovimi i parimit të vendosjes me konsensus si dhe analiza e zbatueshmërisë së Marrëveshjes së Ohrit në bashkëpunim me OSBEnë dhe Institutin Evropian të Paqës.
