Maqedoni
Prononcohen liderët, marrëveshja është hap drejt zgjidhjes së krizës
06.11.2015 12:10
Liderët e tre partive thonë se marrëveshja e arritur është hap shumë i mirë drejt zgjidhjes përfundimtare të krizës...

Për liderin e VMRO-së, me rëndësi është që zgjedhjet të mos shtyhen dhe të mbahen më 24 prill të vitit të ardhshëm.
Për emrat e dakorduar për ministra dhe zëvendësministra nga radhët e LSDM-së, kryeministri Gruevski tha se bëhet fjalë për emra të theksuar partiak, e kjo, sipas tij, është mirë për shkak se kështu do të ndërmarrin përgjegjësi politike.
“Unë jam shumë i kënaqur nga ajo që u arrit. Qëllimi ynë strategjik si parti ishte të betonohet data e zgjedhjeve, për çka se LSDM pati tentime ta shtyjë, më saktë kërkoi të prolongohej, por ne insistuam që të mbetet 24 prilli dhe ia arritëm. Ajo që është karakteristike për emrat e propozuar është se bëhet fjalë për emra të theksuar partiak dhe mendojmë se kjo është mirë, dëshirojmë që në mënyrë partiake të ndërmarrin përgjegjësi politike, e jo të fshihen pas gjoja ndonjë lloj ekspertëve të cilët janë anëtarë anonim të LSDM-së. Populli le të shohë se kush si punon, e le të bëjë dallim”- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, është i kënaqur nga marrëveshja e arritur dhe kompromisi në pjesën e vetos së zëvendësministrave vetëm për çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet.
Ai mbrëmë deklaroi se me këtë marrëveshje fitoi Maqedonia.
“Zgjidhjen e gjetëm në shndërrimin e formulimit të fjalëve nga vetë marrëveshja, ku thuhet se zëvendësministri ka të drejtën e vetos për punë që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve. Po ashtu është paraparë që ministri i Punëve të Brendshme të shkarkojë dhe ripozicionojë kuadro udhëheqës. Qëllimi ynë nuk është që të ndryshohen të gjithë personat udhëheqës, edhe atje ka profesionistë, kërkojmë shans të drejtë që ta kryejmë obligimin tonë në MPB dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Këtë e bëjmë në mënyrë që të kemi garanci se qytetarët do të shprehin lirshëm vullnetin e tyre në zgjedhjet e 24 prillit”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Për BDI-në në këtë marrëveshje nuk ka fitues e të humbur. Pozitat e shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv mbetën të pa prekuara, sipas marrëveshjes, ndryshime, kontroll dhe ndarje të ndërsjellë të pushtetit do të ketë vetëm midis VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së për arsye të përplasjeve dhe mosbesimit në mes të dy partive maqedonase që edhe sollën gjer në krizën politike më të thellë në vend.
"Tanimë dy muaj kanë filluar negociatat për realizimin e Marrëveshjes së 2 qershorit. Ju njoftoj se sonte definitivisht të gjitha partitë politike parlamentare kanë arritur marrëveshje për realizimin e Marrëveshjes së 2 qershorit. Të gjitha dallimet që kanë ekzistuar deri sot, janë tejkaluar. U arrit marrëveshje edhe për ministrat dhe zëvendësministrat e rinj. U bë mirë për Republikën e Maqedonisë, për të gjithë qytetarët e saj. Sigurisht që askush nuk është triumfator, të gjithë janë fitues, por nuk ka as të humbur. Jam shumë i bindur që kemi bërë një punë të mirë”- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Përfaqësuesi i PDSh-së, Imer Aliu, ripërsëriti se PDSh mbetet partia e vetme opozitare dhe përgjegjësia për mosrealizimin e marrëveshjes tanimë bie vetëm mbi tre partitë e tjera që janë pjesë e Qeverisë.
“Ne nuk jemi pjesë e bisedimeve për sa i përket qeverisë së re dhe caktimit të ministrave. Kështu që ne ngelim opozitë, opozitë e vetme. Për sa i përket Qeverisë dhe çështjes së emrave, do të duhet t’iu informojnë ata të cilët janë pjesë e këtyre bisedimeve. PDSh mbetet opozitë tashmë e vetme në këtë shtet. Ne nuk kemi besim që kjo marrëveshje të realizohet, por mbetet përgjegjësi e atyre që janë pjesë e bisedimeve për sa i përket Qeverisë”- u shpreh përfaqësuesi i PDSh-së, Imer Aliu.
Pritet që pas diskutimit në grupet e punës, marrëveshja të marrë votat në Kuvend të hënën.
