Botë
Hahn në Kosovë, takon Jahjagën dhe Mustafën
06.11.2015 13:49
Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerim, Johanes Hahn, ka filluar vizitën e tij në Kosovë, ku do të takojë krerët më të lartë të shtetit...

Takimin e parë Hahn e ka pasur me presidenten Atifete Jahjaga, ndërsa gjatë një postimi në Twitter ai ka shkruar se përveç përgëzimit që i ka bërë Jahjagës për ratifikimin e MSA-së, po ashtu e ka falënderuar për përpjekjet në ndërmjetësim në situatën e vështirë politike në Kosovë.
Pas takimit me Jahjagën, Johannes Hahn u takua me kryeministrin Isa Mustafa. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Hahn deklaroi se Kosova duhet të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të vazhdojë rrugën për integrime.
Hahn tha se pas arritjes së marrëveshjes së MSA-së, tani Kosova është e fokusuar për liberalizimin e vizave dhe, sipas tij, kriteret tanimë janë plotësuar dhe gjatë këtij viti mund të ketë rekomandim pozitiv për vizat.
Duke folur për MSA-në, komisioneri Hahn tha se kjo marrëveshje është një momentum i ri për zhvillimin ekonomik të Kosovës, prandaj ai kërkoi përqendrim në zbatim të marrëveshjes, e cila, siç tha ai, do të ketë ndikim për hapjen e vendeve të reja të punës.
Ai tha se Kosova duhet t’i shfrytëzojë potencialet e MSA-së dhe BE-ja do të jetë në vazhdimësi afër për të ndihmuar rrugën integruese.
Duke folur për bllokimin e punës së Kuvendit nga opozita, Hahn tha se në vendet që aspirojnë Bashkimin Evropian nuk duhet të ketë dhunë në institucione, pasi në Kuvend të gjithë deputetët e përfaqësojnë popullsinë.
Kryeministri Mustafa nga ana e tij u zotua se Kosova do të punojë në zbatimin e MSA-së dhe pret që kjo marrëveshje të hapë një etapë të re të zhvillimit të vendit.
Kryeministri kosovar po ashtu tha se presin nga Bashkimi Evropian që pas përmbushjes së kritereve, gjatë këtij viti Kosova të rekomandohet për liberalizim të vizave dhe pastaj vendet anëtare të BE-së të vendosin datën e heqjes së vizave./Top Channel
