Basketboll
Euroleague, Real Madrid fitore në frymën e fundit
06.11.2015 13:55
Euroleague në Basketboll konsumoi raundin e katërt ku më të mirët e koshit europian hodhën një hap të madh drejt fazës tjetër të këtij evenimenti...

Në Moskë, Khimki nuk hasi vështirësi përballë Strasburgut duke fituar 88-62.
Një sukses ky që e mban skuadrën ruse në vendin e parë të klasifikimit në Grupin A me 3 fitore dhe vetëm një humbje. Fitore regjistroi edhe CSKA-ja e Moskës 80-75 ndaj Dogus Stamboll.
Moskovitët ruajnë të paprekur kolonën e humbjeve pasi kryesojnë Grupin D me 4 fitore, ndërsa Maccabi Tel Aviv regjistroi një tjetër disfatë.
Këtë herë ishin gjermanët e Brose Baskets Bamberg që i dhanë një leksion skuadrës izraelite me rezultatin 77-66.
Një hap të madh hodhi edhe Cedevita Zagreb që të udhëhequr nga Luka Babic imponuan ritmin në ” Mediolanum Forum” duke i dhënë një leksion basketbolli Emporio Armani Milanos me rezultatin 77-68.
Kjo është një nga periudhat më të errëta për skuadrën nga Lombardia që mbetet në vendin e parafundit të Grupit B me vetëm 5 pikë.
Po në ktë grup, Anadolu Efes ra në fushën e Laboral Kutxa 90-92 pas kohës shtesë, ndërsa Olympiacos shkatërroi Limoges 75-49 për të marrë kryesimin me 7 pikë.
Një ndeshje dramatike rezultoi ajo e Madridit ku Reali ktheu disavantazhin e 8 pikëve në 3 minutat e fundit duke arritur një fitore shumë të vuajtur 101-99 ndaj Bayernit të Mynihut.
Ishte Jaycee Carroll ai që shënjestroi 3 pikëshin vendimtar për kampionët e Europës në sekondat e fundit duke e barazuar ekipin e tij në vendin e dytë bashkë me gjermanët që numërojnë 6 pikë.
