Maqedoni
Shkelja e afateve nuk shtyn datën e zgjedhjeve, ja për çka u dakorduan liderët politik
06.11.2015 15:45
Zgjedhjet e parakohshme Parlamentare do të mbahen më 24 prill të vitit 2016...

Liderët e partive nënshkruese të Marrëveshjes politike, në takimin e një dite më parë, edhe një herë konfirmuan se, pavarësisht vonesave në zbatimin e Marrëveshjes së dy qershorit, data e përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk ndryshon.
Veç kësaj, palët u dakorduan edhe rreth qeverisë transitore, kompetencave të saj dhe kuadrove të propozuara nga opozita.
Sa i përket Qeverisë transitore, palët kanë rënë dakord që me MPB-në të udhëheq sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasenovski, ndërsa ministri aktual nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Mitko Çavkov, do të jetë zëvendësi i tij.
Njëkohësisht është rënë dakord që me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale të udhëheq nënkryetarja e LSDM-së, Frosina Remenski, ndërsa ministri aktual do të zhvendoset për një pozicion, përkatësisht do të zë postin e zëvendësministrit.
Ministrat e opozitës do të kenë të drejtë që të bëjnë ndryshime kuadrosh, por për çdo funksionar të emëruar nga ana e tyre, zëvendësi do të jetë i VMRO-së.
Zëvendësministra nga radhët e opozitës maqedonase do të jenë: Kire Naumov, në Ministrinë për Financa; Aleksadar Koracovski, në Ministrinë për Administratë dhe Lubço Nikollovski, në Ministrinë për Bujqësi.
Palët janë dakorduar që zëvendësministrat të kenë të drejtë në veto për çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet, që në ditën e parë. Në rast konflikti mes ministrit dhe zëvendësit për çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet, kontestin do ta zgjidh KShZ-ja.
Sa i përket Ligjit për mbrojtje të privatësisë, e që ka të bëjë me ndalesën e publikimit të materialeve të përgjuara, është rënë dakord që me ligj të ndalohet vetëm publikimi i materialeve që përmbajnë biseda private dhe biseda që nuk e cenojnë interesin publik.
Ligji do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas miratimit, pasi të ketë marrë vlerësimin e Komisionit të Venecias.
Pakoja e ligjeve që burojnë nga Marrëveshja e dy qershorit, përfshi këtu Ligjin për qeveri dhe atë për administratë shtetërore, Ligjin për mbrojte të privatësisë dhe atë për të ashtuquajturit “pëshpëritës”, Kodi Zgjedhor dhe vendimi për formimin e Komisionit Hetues Parlamentar për përgjimet e paligjshme pritet të hartohen në formë projektligjesh që të futen në procedurë parlamentare në afat sa më shkurtë.
Pas shndërrimit në ligje të çështjeve të dakorduara, atë do t’u rikthen çështjeve që kanë të bëjnë me pavarësimin e mediave, posaçërisht me servisin publik, rregullimin e çështjes për shpërndarjen e materialeve propaganduese dhe thirrjeve publike nga ana e institucioneve, prezantimin mediatik të partive politike gjatë fushatës zgjedhore dhe ndalesën që mediat të paraqiten si donatorë të partive opolitike gjatë fushatave zgjedhore.
SHPËTIM NUREDINI
