Arkivi i Maqedonisë dhe Shqipërisë thellojnë bashkëpunimin
Përforcohet edhe më tej bashkëpunimi i arkivit shtetëror të Maqedonisë dhe të Shqipërisë...

Drejtorët e dy arkivave nënshkruan marrëveshje të re për bashkëpunim, e cila parasheh këmbim të specialistëve nga sfera e punës së arkivave, hulumtime dhe këmbim të materialit të arkivave në bazë të reciprocitetit, këmbimit të fjalorëve, dokumenteve dhe revistave të arkivave.
“Kjo marrëveshje është vlerësuar nga ana jonë dhe kemi besimin e plotë që i shërben të dy arkivave tona, konsiston në radhë të parë shkëmbimin e dokumenteve natyrisht në rrugën elektronike dhe kjo do të sjellë pasurimin e mëtejshëm të arkivave tona”- deklaroi drejtori i Arkivit të Shqipërisë, Gjet Ndoj.
“Arkivat shtetërore kanë nevojë për bashkëpunim më të afërt dhe harmonizimi të terminologjisë dhe mënyrës se si bëhet digjitalizimi. Pa bashkëpunim të ndërsjellë shpeshherë ndodhë të kemi moskompatibilitet të punës”- tha drejtori i Arkivit të Maqedonisë, Filip Petrovski.
Gjithashtu këto dy arkiva bashkë me Kosovën, Bullgarinë dhe Malin e Zi do të fillojnë një nismë të arkivave të vendeve të Evropës juglindore, që në të ardhmen të përgatisin projekte me karakter rajonal. Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme është e katërta e llojit të tillë.
Marrëveshja e parë për bashkëpunim midis Arkivit Shtetëror të Maqedonisë dhe të Shqipërisë u nënshkrua më 7 qershor të vitit 1991. (Rexhep Qamili, TVM2)
