Ekonomi
Kuvendi Republikan miratoi kredinë nga Banka Evropiane për Zhvillim
06.11.2015 16:33
Me 61 vota pro dhe 5 kundër, kuvendi miratoi Ligjin për marrjen e kredisë nga Banka Evropiane për Zhvillim. Këto mjete janë të dedikuara për ndërtimin e rrugës Shtip-Radovish...

Ndërkohë, shumica parlamentare hodhi propozim-amendamentet e opozitës shqiptare, me të cilat kërkohej që një pjesë e kredisë të destinohet për rrugën Shkup-Bllacë.
Deputetët e PDSH-së akuzuan pushtetin se po mbështet vetëm projektet të cilat kënaqin nevojat e palës maqedonase, ndërsa anashkalohen shqiptarët. Kurse përfaqësuesit e pushtetit arsyetuan huamarrjen, duke theksuar se ndërtimi i rrugës është me rëndësi të veçantë.
“Këto mjete kreditore të marra nga institucionet ndërkombëtare financiare, BDI bashkë me VMRO-në i dërgojnë për realizimin, rregullimin dhe ndërtimin infrastrukturor ekskluzivisht vendbanimeve maqedonase”- deklaroi Orhan Ibrahimi nga PDSh.
“Qëllimi i këtij projekti është të ndërtohet një rrjet rrugor kualitativ, infrastrukturë kualitative, e cila do të mundëson rrugëtim më të lehtë, më të shpejtë, më të sigurt të qytetarëve nga njëri tek tjetri vend. Po ashtu do t’u mundësojë bujqve transport më të shpejtë të mallrave të tyre”- theksoi Nada Cipusheva nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM-ja opozitare, edhe pse e mbështetën këtë ligj, kritikuan pushtetin se në vend se ky projekt të ndërtohej me para të buxhetit, do të duhet që ndërtohet me kredi.
“Keni gabuar shumë në prioritet që i keni pasur gjatë periudhës së kaluar, posaçërisht me realizimin e projektit “Shkupi 2014”, ndërsa paratë nuk i keni shfrytëzuar për ndërtimin e rrugëve. Për këtë arsye tani jemi të detyruar të marrim kredi për t’i ndërtuar këto rrugë. Japim mbështetjen për këtë ligj, por vlerësojmë se keni udhëhequr politikë të gabuar buxhetore”- u shpreh Marijanço Nikollov nga LSDM.
Për ndërtimin e rrugës Shtip-Radovish janë paraparë mjete në vlerë prej 64 milion eurove.
Rruga do të jetë e gjatë 39 kilometra, ndërsa e gjerë 11.4 metra.
ERSAN PAJAZITI
