Në ShMTK në Gostivar u promovuan kabinetet e fizikës dhe kozmetikës

06.11.2015 16:41

Shoqata “Nansen Dialog Center” nga Shkup, në kuadër të projekteve të saj, sot në Shkollën e Mesme Teknike Komunale (SHMTK), në Gostivar, në mënyrë solemne promovoi kabinetet e Fizikës dhe Kozmetikës...

Për këtë qëllim, i pranishëm në inaugurimin e kabineteve të reja ishte ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASh), Abdylaqim Ademi, i cili mes tjerash vuri në dukje se vënia në përdorim e laboratorëve të rinj do të luaj rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të  mesëm profesional dhe që është prioritet edhe i kësaj ministrie.

Drejtori i Shkollës së Mesme Teknike Komunale, Ibrahim Asani, deklaroi se, me hapjen e kabineteve të reja nxënësve u ofrohen kushte që mësimi praktik dhe ai teorik të bëhet më i lehtë dhe më i kuptueshëm.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASh), Abdylaqim Ademi, shfrytëzoi vizitën në Gostivar për të vizituar edhe paralelet që aplikojnë mësimin e integruar në Sh.F. “Goce Dellçev” si dhe paralajmëroi tre investime të rëndësishme të kësaj ministrie në territorin e Komunës së Gostivarit.

Do të bëhen rinovime në tre shkolla publike. Në shkollën fillore të fshatit Forinë dhe atë të fshatit Vërtok do të bëhet ndërrimi i çative të shkollave, kurse në Shkollën e Mesme Ekonomike Komunale do të bëhet rinovimi i nyjeve sanitare. Të gjitha investimet do të bëhen në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit. (Lulzim Haziri, TVM2)

Foto: radiovala.com