KE dhe ShBA përshëndesin marrëveshjen e arritur
Komisioni Evropian ka përshëndetur pajtueshmërinë e arritur mbrëmë nga liderët e partive politike për çështjet shumë të rëndësishme të Marrëveshjes së Përzhinës...

Në reagimin e parë zyrtar të KE-së thuhet se Bashkimi Evropian i përgëzon palët për kompromisin e arritur, ndërkaq inkurajon palët për aktivitet të mëtutjeshëm në drejtim të implementimit të marrëveshjes, me të cilën pritet t’i jepet fund krizës politike. Ndërkaq, kanë theksuar se ky hap i arritur mbrëmë do të ndikojë pozitivisht në raport progresin për Maqedoninë, për të cilin thanë se aktivitet kanë filluar dhe se kolegjiumi do të vazhdojë punët në vijim.
“E dimë se partitë politike janë shumë afër arritjes së tërësishme të marrëveshjes dhe ne i inkurajojmë që t’i zhvillojnë hapat e patjetërsueshme që ju kanë mbetur në drejtim të implementimit të obligimeve që dalin nga muaji qershor. Kjo është shumë e rëndësishme për raportin në vijim për përparimin e vendit”- tha zëdhënësi i KE-së, Christine Grau.
Ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli, në profilin e tij në twitter, me rastin e arritjes së marrëveshjes ka theksuar se është arritur një progres i rëndësishëm, i cili është me rëndësi për t`u implementuar.
Natën e kaluar është arritur një progres i rëndësishëm në realizimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe në lëvizjen e vendit. Pasi që ligjet e reja të miratohen, është me rëndësi fokusimi drejt implementimit të tyre, sidomos të rregullativës zgjedhore. ShBA-të dhe partnerët ndërkombëtarë janë të përgatitur për të ndihmuar, ka thënë ambasadori Bejli. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
