ShBShM dhe Shoqata e Librarive marrin pjesë në Panairin e Stambollit
Edhe këtë vit me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Shoqata e Botuesve të Maqedonisë dhe ajo e Librarive me 7 deri më 10 nëntor do të marrin pjesë në Panairin e Stambollit...

Edhe këtë vit me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Shoqata e Botuesve të Maqedonisë dhe ajo e Librarive me 7 deri më 10 nëntor do të marrin pjesë në Panairin e Stambollit, ku do të prezantojnë veprat e autorëve më të njohur shqiptarë dhe maqedonas, si dhe vepra të autorëve të etnive tjera që veprojnë në vend, bën të ditur sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
“Do të prezantohemi sivjet si Ministri e Kulturës nëpërmjet Shoqatës së Botuesve Shqiptarë si bartëse e aktivitetit me mbi 300 tituj, me mbi 300 libra të krijuesve të ndryshëm shqiptarë, por gjithashtu do të kemi në këtë panair edhe mysafirë, si nga Shoqata e Botuesve të RM dhe libraritë, Shoqata e Librarive, si dhe nga Lidhja e Botuesve Shqiptarë. Profesorin e nderuar, Skender Hasanin, i cili në kuadër të panairit do të prezantohet me opusin e vet krijues dhe si drejtor aktual në Institutin për Mbrojtje dhe Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve do ta prezanton veprimtarinë e këtij institucioni”- tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
“Mendoj që do të jetë një ngjarje e dobishme për ne si botues për këmbim të përvojave, ideve, këmbim për marrje të të drejtave autorialeve të njëri-tjetrit… Besojmë se do ta përfaqësojmë librin shqip dhe librin në përgjithësi të Maqedonisë në mënyrën të cilën ajo edhe e meriton”- deklaroi Azam Dauti nga ShBSh.
Në kuadër të këtij panairi do të prezantohet dhe afirmohet edhe konkursi i Ministrisë së Kulturës për subvencionimin e botuesve të huaj për përkthimin e veprave kualitative të autorëve nga Maqedonia, thotë Shehapi. Duke shtuar se Panairi i Stambollit është njëri nga panairet më me rëndësi në të cilin marrin pjesë botues nga e gjithë bota dhe për çdo vit vizitohet nga 2 milion e gjysmë vizitorë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
