Arritja e marrëveshjes për qeverinë teknike, Musliu: Hap i duhur për ardhmërinë e vendit

06.11.2015 17:50

Arritja e marrëveshjes brenda Grupit punues për formimin e qeverisë teknike nga analistët e vendit konsiderohet si hap i duhur për ardhmërinë e vendit...

Analisti, Albert Musliu, thotë se falë edhe të insistimit të faktorit ndërkombëtar u parandalua aktivizimi i opsioneve më të rënda që paralajmëroheshin për vendin.

“Marrëveshja e Përzhinës është optimumi të cilin mundeshin ta arrijnë elitat tona politike. Gjithsesi se ishte një edhe për VMRO-DPMNE-në, por ngaqë opsionet e tjera ishin më të rënda, unë besoja, edhe ashtu u realizua, se do të gjejnë zgjidhje”- deklaroi analisti, Albert Musliu.

Kjo, sipas Musliut, duhet të merret si leksion edhe për zbatuesit e Marrëveshjes së Përzhinës, që reformat tjera t’i kryejnë me vullnet të mirë. Analisti Musliu thotë se tani e tutje duhet të punohet në drejtim të krijimit të terrenit të përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat nuk do të kontestohen nga askush.

“Moment i ardhshëm i rëndë do të jetë fillimi i punës së prokurores speciale, por edhe, gjithsesi, dorëheqja e kryeministrit pas 15 dhjetorit. Sërish do të kemi tensione atëherë, por uroj që ky leksion t’u japë një impuls pozitiv pjesëmarrësve, që ato reforma të cilat janë të nevojshme, ato procese të cilat do të duhet të realizohen si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës në këtë periudhën, që na ngel të implementohen me sa më pak tensione, sepse ato reflektohen në shoqërinë më të gjerë”- tha analisti, Albert Musliu.

Mbrëmë, pas diskutimeve maratone, dy partitë, VMRO-DPMNE dhe LSDM, u morën vesh që bashkë të formojnë qeverinë teknike, mandati i së cilës do të zgjasë deri në zgjedhjet e 24 prillit të vitit 2016. (Meral Ismaili, TVM2)