Konferencë ministrore në Shkup "Drejt Samitit për klimë në Paris 2015"
Me këtë rast ministri i Ambientit, Nurhan Izairi, tha se kjo konferencë paraqet një platformë të rëndësishme...

Me rastin e Samitit klimatik në Paris të titulluar "Drejt Samitit për klimë në Paris 2015”, u mbajt konferenca ministrore në Shkup, në të cilën ishin të pranishëm ministra dhe përfaqësues të lartë të shteteve anëtare të Iniciativës Evropiane Qendrore, përfaqësues të misioneve diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të sektorit civil dhe atij akademik, përfshi edhe përfaqësues nga Kosova dhe Shqipëria.
Me këtë rast ministri i Ambientit, Nurhan Izairi, tha se kjo konferencë paraqet një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e pikëpamjeve në lidhje me sfidat me të cilat ballafaqohemi në përpjekjet e rritjes së ulët të karbonit në vendet anëtare të Iniciativës Evropiane Qendrore.
“Në këtë konferencë kemi pjesëmarrjen e një numri shumë të madh të delegacioneve, të Iniciativës Qendrore, por gjithashtu edhe të shteteve të tjera, delegacione të cilat do të japin kontributet e tyre rreth ndryshimeve klimatike, i cili kontribut pastaj do të miratohet në një deklaratë të përbashkët dhe do të përcillet më tutje për konferencën e Parisit”- deklaroi ministri i Ambientit, Nurhan Izairi.
“Unifikimi i shteteve të rajonit rreth ndryshimeve klimatike ka rëndësi të veçantë, sepse ndihmon në arritjen e të ashtuquajturave objektiva të qëndrueshëm të zhvillimit që janë miratuar në konferencën e Nju Jorkut në shtator të këtij viti dhe mendoj se adresimi i këtyre sfidave të ndryshimeve klimatike në rrafshin global do të jetë shumë më i lehtë kur ato fillimisht adresohen në rrafshin rajonal, ashtu siç kemi filluar sot që ta bëjmë në këtë konferencë”- theksoi ministri i Ambientit-Kosovë, Ferid Agani.
Ambasadorja e Francës në Maqedoni, Lorens Oer, dhe përfaqësuesja e UNDP¬-së, Luiza Vinton, thanë se Parisi do të jetë nikoqir i Samitit të madh për kushtet klimatike dhe se Maqedonia është e përkushtuar dhe po e udhëheq procesin në kuadër të Iniciativës Evropiane Qendrore.
“Parisi do të jetë nikoqir i Samitit të madh për kushtet klimatike dhe unë shpreh kënaqësinë time që isha e ftuar në këtë konferencë dhe dua të them që Maqedonia është e përkushtuar dhe po e udhëheq procesin në kuadër të Iniciativës Evropiane Qendrore. Në këtë drejtim besoj se të gjithë ne së bashku do të punojmë që Parisi të jetë i suksesshëm, sepse kjo është në interes të të gjitha vendeve dhe botës në përgjithësi”- u shpreh ambasadorja e Francës në Maqedoni, Lorens Oer.
“Është për t’u përshëndetur që Maqedonia ka marrë obligim që në 15 vitet e fundit t’i zvogëlojë misionet e gazrave të qelqta deri në 30%”- tha përfaqësuesja e UNDP-së në RM, Luiza Vinton.
Konferenca u mbajt me iniciativë dhe me organizim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe të vendit, si dhe në kuadër të kryesimit të Republikës së Maqedonisë me Iniciativën e Evropës Qendrore. (Gyltene Sinani, TVM2)
