Siri: Në luftime është përdorur gazi mustard
Mbikëqyrësi i OKB-së për armët kimike konfirmoi me “vendosmërinë më të madhe” se, në Siri është përdorur gazi mustard gjatë muajit gusht, në luftimet mes rebelëve dhe xhihadistëve...

Ekspertë të Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike gjetën gjithashtu lëndë kimike toksike, përfshi klorinën, të përdorura si armë gjatë një sulmi në provincën e Idlibit gjatë marsit, thuhet në deklaratën e OPAK.
Gjatë sulmit në Marea, në provincën e Aleppos më 21 gusht, ekipi i OPCW-së hetoi pasi “një aktor jo shtetëror pretendohej se kishte përdorur armë kimike”.
Ata mblodhën prova dhe “morën në pyetje dy individë të prekur nga ekspozimi ndaj lëndëve kimike”, ashtu sikurse edhe mjekët që i kishin kuruar.
“Në këtë rast, ekipi mundi të konfirmonte me besimin e plotë se, të paktën dy persona ishin ekspozuar ndaj mustardit squfurik, dhe se me shumë mundësi efektet e përdorimit të tij ka rezultuar me vdekjen e një të mituri”, shkruhet në deklaratën e OPAK.
I përdorur për herë të parë në Luftën e Parë Botërore, ky gaz shkakton dëmtime të lëkurës deri në flluska tepër të dhimbshme, irritime të syve dhe enjtje të qepallave, si dhe verbim të përkohshëm të personave të prekur.
Ndërkohë që hemorragji të brendshme dhe të jashtme mund të jenë ndër pasojat më të rënda, deri në shkatërrim të mushkërive.
