Krivapallankë: Demolohet objeki ku muslimanët kryenin lutjet
Natën e kaluar në qytezën e Kriva Pallankës është demoluar objekti në të cilin kryheshin lutjet fetare islame...

Vandalizmi i objektit fetarë, vjen pas protestës së djeshme siç u tha nga organizatorët “kundër islamizimit të Kriva Pallankës”.
Protesta u organizua nga një nismë qytetare për të kundërshtuar ndërtimin e një xhamie, në iniciativë të komunitetit romë të përkatësisë fetare muslimane. Muftinia e Kumanovës e ka dënuar demolimin e objektit fetare islame në Kriva Pallankë, duke kërkuar nga organet kompetente që ky akt vandal të zbardhet sa më shpejtë.
“Me keqardhje dhe dhembje të thellë morëm lajmin se në qytetin Kriva Palankë pas një proteste që është organizuar nga një grup banorësh ortodoks-maqedonas është sulmuar vendi në të cilët kryhen ritet fetare. Sipas informatave që i posedon Muftinia e Kumanovës gjatë protestës janë dëgjuar akuza të rënda ndaj fesë Islame dhe muslimanëve të këtij vendi. Në orët e mbrëmjes një grup në prezencë të organeve policore me dhunë kanë hyrë në këtë objekt për të cilin BFI në Maqedoni ka dhënë leje për kryerjen e lutjeve ditore. Qyteti Kriva Pallankë bie nën Muftininë e BFI-së të Kumanovës, prandaj Muftinia e BFI-së në Kumanovë ashpër reagon ndaj këtij akti vandal i cili nuk shërben në një bashkëjetesë të mirëfilltë mes komunitetive të këtij vendi dhe kërkon nga organet shtetërore që sa më shpejt t`i gjejë dhe t`i identifojë këta njerëz të papërgjegjshëm që nuk ia dojnë të mirën banorëve të këtij qyteti dhe të marrin dënimin e merituar”, thuhet në kumtesën e Muftinisë së Kumanovës.
Lidhur me këtë kanë reaguar edhe subjektet politike shqiptare. Në reagimin e BDI-së thuhet se Liria për të besuar dhe për të shprehur pa kurrfarë presioni përkatësinë fetare, është një postulat civilizues i përfshirë gati në të gjitha Konventat ndërkombëtare që merren me liritë dhe të drejtat e njeriut.
Kundërshtimi për ndërtimin e një objekti kulti të komunitetit fetar islam po ndodhë në një mjedis ku diversiteti fetar do të duhej të konsiderohen si pasuri e jo hendikep në marrëdheniet midis njerëzve me identitete të ndyrshme. Maqedonia është nën monitorim ndërkombëtar dhe ngjarjet e tilla nuk shkojnë në favor të ecjes së saj drejt proceseve eurointegruese.
"Apelojmë që të gjitha mosmarrëveshjet e karakterit ndërfetar e ndëretnik të zgjidhen në rrugë institucionale dhe përmes dialogut qytetar", thuhet në fund të reagimit të BDI-së.
Ngjashëm shprehen edhe nga Lëvizja Besa dhe partia Uniteti. Ministria e punëve të brendshme ka konfirmuar incidentin duke bërë të ditur se po mbledh informacione për rastin.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
