Maqedoni

Ahmeti i shkruan euro-komisarin Han, fton që BE ta përsëris rekomandimin

07.11.2015 17:43

Kryetari BDI-së, Ali Ahmeti i ka shkruar euro-komisarit Johanes Han, të cilin e falenderon për kontributin në arritjen e marrveshjes politike...

Kryetari BDI-së, Ali Ahmeti i ka shkruar euro-komisarit Johanes Han, të cilin e falenderon për kontributin në arritjen e marrveshjes politike dhe i kërkon vazhdimin e përkrahjes për Maqedoninë në proceset integruese.
 
“I nderuari Komisioner Hahn, 
Më lejoni ju lutem që si pjesëmarrës në negociatat për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni si dhe në emrin e të gjithë neve pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, tju shpreh vlerësimin tim për angazhimin tuaj të drejtpërdrejt, por edhe të Ambasadorëve Aivo Orav dhe Xhes Bejli si dhe stafit të tyre, bashkë me lehtësuesin Piter Vanhojt, në zgjidhjen e krizës politike në vendin tim dhe mbylljen e çështjeve më kontestuese që mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill të vitit 2016. Bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar dhe ndërtimi i përbashkët i politikave i ka sjellur gjithjë dobi vendit tim dhe qytetarëve tanë, qysh nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit, marrjes së statusit vend kandidat për anëtarësim në BE, liberalizimit të vizave, rekomandimet për hapjen e negociatave me BE si dhe të qenurit në prag të anëtarësimit në NATO. Andaj, ju ftoj që ta përsërisni rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE dhe bashkarisht me miqtë në Washington si dhe vendet anëtare të BEsë, të riktheni fokusin në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe hapjes së perspektivës EuroAtlantike të Maqedonisë. Ne zotohemi që do të angazhohemi për zbatim të reformave të kërkuara për të ndërtuar institucione më të qëndrueshme si dhe shoqëri demokratike dhe të përgjegjshme, ndërsa njëkohësisht presim përkushtimin tuaj në tejkalimin e pengesës së fundit që qëndron midis Maqedonisë dhe integrimit EuroAtlantik. Maqedonia dhe rajoni kanë nevojë për stabilitet dhe siguri, prandaj, le mos të kursejmë përpjekjet tona të përbashkëta për ta integruar vendin tonë në BE dhe NATO sepse ky është përcaktimi jonë strategjik pa asnjë alternativë. Për këto dhe për vlerat demokratike, Brukseli dhe Washingtoni kanë një partner tek unë dhe tek Bashkimi Demokratik për Integrim”, shkruan Ahmeti në letrën adresuar eurokomisarit Han.