Maqedoni
Maliqi: Demokracia konsensuale, zgjidhja për Maqedoninë
07.11.2015 18:25
Analisti kosovar Shkëlzen Maliqi thotë se demokracia konsensuale është zgjidhja më e mirë për Maqedoninë...

Sipas tij Maqedonia ka lëshuar shansin që të bëhet një Belgjikë në Ballkan, por me një qeverisje konsensuale mes maqedonasve dhe shqiptarëve vendi mund të arrijë stabilitet të qëndrueshëm dhe zhvillim.
“Këtu po imponohet një demokraci konsensuale, dmth. populli shumicë mos u imponojë asgjë shqiptarëve dhe maqedonasit ta kupojnë se nuk është ky shtet vetëm i tyre. Edhe shqiptarët janë shtetformues”, shprehet analisti politik nga Kosova, Shkëlzen Maliqi.
Nacionalizmi maqedonas ka rrënjët në ish Jugosllavi, thotë Maliqi. Sipas tij, shteti i atëhershëm por edhe ky aktual ka investuar shumë në këtë nacionalizëm deri në shpërfytirimin e tij nga qeveria Gruevski.
“Ka investuar shumë shteti i Maqedonisë vazhdimisht me e rrit një lloj nacionalizmi, një kulturë të veçantë që tash ka shpërthyer deri në ekstrem, me Gruevskin dhe idetë se janë popull i vjetër, se kanë lidhje me Aleksandrin e Madh dhe Filipin, dhe se këto janë maqedonas të vjetër. Është diçka që historikisht nuk lidhet dhe është një gënjeshtër, një mitologji e rreme”, shprehet analisti politik nga Kosova, Shkëlzen Maliqi.
Sipas Maliqit nëse qeveria që do të del nga zgjedhjet e rradhës nuk stbailizon marrëdhëniet ndëretnike nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të forcohen ingerencat autonome të shqiptarëve.
“Ndoshta proceset mund të shkojnë edhe nga forcimi i ingerencave autonome të shqiptarëve, në ato treva ku janë, por ka edhe disa zona ku ende nuk është e definuar se çfarë do të bëhet”, shprehet analisti politik nga Kosova, Shkëlzen Maliqi.
Këto komente analisti Maliqi i bëri në një debat të organizuar nga Qendra për Demokraci dhe Zhvillim.
SHPËTIM NUREDINI
