Lorenzo kampion në Moto GP, Rossi i katërti por s’mjafton
Piloti spanjoll i Yamaha, Jorge Lorenzo, është shpallur sot kampion i botës në Moto GP, në përfundim të garës së fundit sezonale zhvilluar në Valencia...

Përballë 110 mijë shikuesve, Lorenzo siguroi titullin e tretë kampion në Moto GP, pas atyre të fituara në vitet 2010 dhe 2012 dhe i pesti në karrierën e tij (ka edhe dy tituj në Moto 2).
Ai fitoi duelin me shokun e skuadrës Valentino Rossi, që nisej nga vendi i fundit (i 26-ti), pas penalizimit që mori në Sepang.
Italiani e niste garën me 7 pikë avantazh, por ato s’mjaftuan për të marrë titullin e dhjetë kampion në karrierë edhe pse Rossi rikuperoi 22 pozicione, duke u renditur në vendin e 4-t.
Një titull kampion ky për Lorenzon që pakkush e mendote në fillim të sezonit, sidomos pas tri garave të para, që ishin katastrofike për spanjollin.
Por gradualisht ai nisi të rikuperojë dhe 4 fitoret radhazi arritur në garat e Spanjës, Francës, Italisë dhe Katalunjës rihapën Botërorin, që dukej se do të ishte pronë e Rossit. Italiani i Yamaha e udhëhoqi Botërorin gjatë gjithë kohës, por penalizimi që mori në Sepang ishte një goditje e rëndë dhe mrekullia që të gjithë prisnin nuk erdhi.
Marc Marquez u bë palë me Lorenzon këtë sezon, duke e ndihmuar jo pak në Sepang, madje edhe sot, ku nuk e sulmoi asnjëherë.
Gjithsesi, fitues është Lorenzo, që festoi me fansat e tij, para publikut të tij këtë titull kampion në Moto GP.
