Futboll

Derbi shqiptarë për Shkupin, befason Shkëndija

08.11.2015 15:58

Në ndeshjen e shtatë para publikut vendas dhe tifozëve të flaktë “Shvercerët”, Shkupi, regjistroi lojën më të bukur, që me automatizëm solli edhe trepikëshin e parë si nikoqir sivjet në shoqërinë elitare...

“Viktimë” e të përzgjedhurve të Zekirija Ramadanit, ishte Renova, e cila gjendej në formë të shkëlqyeshme kohëve të fundit, por në Çair u mposht me rezultat bindës prej 3-0.

Ndeshja, e cila u zhvillua sërish para një numri të konsiderueshëm të publikut vendas, filloi më mirë për mysafirët e Qatip Osmanit, të cilët përmes Eminit dhe Gafurit, në minutën e 17-të dhe të 19-të, kanosën dy herë portën kundërshtare, por gardiani vendas Suat Zendeli, në të dyja rastet dëshmoi se jo rastësisht është në mesin e portierëve më të mirë në vendin tonë.

Pas kësaj, deri në minutën e 40-të, kur avancoi Shkupi, nikoqirët patën dy raste të shkëlqyeshme, me ç`rast gjuajtjet e Janevskit dhe Arifit, u ndalën nga kuadrati I portës së mysafirëve.

Pesë minuta para mbylljes të pjesës së parë, Janevski dha një top preciz për Florent Osmanin, I cili nga disa metra gjuajti në mënyrë precize me të majtën, duke e dërguar topin në rrjetën e Efremovit, për avantazh 1-0 të vendasve. 

Në pjesën e dytë, ishte Renova ajo që morri iniciativën e lojës, por shkupjanët shënuan edhe dy herë. Fillimisht, në minutën e 60-të, Ardian Nuhiu krosoi nga gjuajtja e lirë, ndërsa Osmani, me një goditje precize me kokë, shënoi golin e dytë të skuadrës dhe personal.

Po këta dy lojtarë, por me detyra të ndryshme, ishin pjesë edhe e golit të tretë të Shkupit, kur në minutën e 81-të, Osmani harkoi nga e majta, ndërsa Nuhiu, me një prekje magjike të topit, e dërgoi ate për herë të tretë në rrjetën e Efremovit.

Me këtë, Shkupi, në ndeshjen e shtatë para publikut të vet sivjet, përfundimisht regjistroi trepikëshin e parë, që e ngjet lartë në pozitën e katërt, në kuotën e 19 pikëve, ndërsa Renova, që kohëve të fundit ishte në formë të mirë, mbetet në vendin e gjashtë me 16 pikë. Në ndeshjet tjera të xhiros së 14-të, Shkëndija dështoi edhe njëherë, duke luajtur “vetëm” 2-2 ndaj Turnovës, si nikoqir në Kërçovë.

Të përzgjedhurit e Shpëtim Duros, edhe pse 25 minuta luajtën me një lojtar më shumë, megjithatë nuk e shfrytëzuan këtë përparsi dhe tani janë tre pikë mbrapa Vardarit, që edhe pse me vështirsi, me 3-1 mundi Bregallnicën.

MUSTAFA ADEMI