Botë
Kroaci-opozita fiton zgjedhjet, negociata për koalicion qeverisës
09.11.2015 12:25
Konservatorët e opozitës kroate kanë shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare, por përballen me sfidën e formimit të qeverisë...

Rezultatet e pjesshme zgjedhore tregojnë se partia HDZ do të sigurojë rreth 60 nga 151 vendet e Parlamentit, ndërsa Aleanca e drejtuar prej socialdemokratëve llogaritet të marrë pak më shumë se 50.
Konservatorët pritet tani të nisin zyrtarisht bisedimet për formimin e një koalicioni.
“Fitorja na vendos në një pozitë kur duhet të marrim përgjegjësinë e drejtimit të një vendi, që është në situatë tepër të vështirë. Cilido që dëshiron të luftojë në krahun tonë për një jetë më të mirë në Kroaci, është i mirëpritur”- deklaroi kryetari i HDZ-së, Tomislav Karamarko.
Edhe pse në tabelën e rezultateve renditet e treta, aleanca e kandidatëve të pavarur “Most” është praktikisht fituesja e madhe e këtyre votimeve.
Asaj pritet t’i takojnë 19 vende në Parlament, duke e kthyer në faktor të rëndësishëm sa i takon krijimit të një koalicioni qeverisës.
Dyndja e emigrantëve ishte një prej çështjeve më të nxehta të fushatës elektorale në Kroaci, ku deri më tani gjatë këtij viti llogaritet të kenë kaluar më shumë se 320 mijë persona.
Përpos krizës së refugjatëve, ekzekutivit të ardhshëm kroat do t’i duhet të përballet edhe me një ekonomi të dobësuar.
Papunësia ka mbërritur nivelin e 15,4%, i treti më i lartë në Bashkimin Evropian pas Greqisë dhe Spanjës, ndërsa rritja ekonomike sivjet ishte tepër e ulët, pasojë e një recesioni gati 6 vjeçar.
Zgjedhjet e së dielës ishin të parat zgjedhje që prej anëtarësimit të Kroacisë në BE, në vitin 2013.
GAZMEND REXHEPI
