Futboll

Sevilla e kthen Realin me këmbë në tokë…

09.11.2015 13:05

Real Madrid u mposht 3-2 nga Sevilla në “Sanchez Pizjuan” dhe tani e sheh veten tre pikë larg Barcelonës kryesuese...

Real Madrid u mposht 3-2 nga Sevilla në “Sanchez Pizjuan” dhe tani e sheh veten tre pikë larg Barcelonës kryesuese, e cila fitoi 3-0 ndaj Villarreal, në prag të ndeshjes të shumë pritur “El Clasico”, më 21 nëntor në “Santiago Bernabeu”.

Real Madrid kaloi i pari në avantazh, në mesin e pjesës së parë, me golin e mrekullueshëm të shënuar nga Sergio Ramos.

Kapiteni tundi rrjetën me një goditje me gjysmë roveshatë, gjatë një goditje nga këndi. Por pikërisht në këtë episod, qendërmbrojtësi dëmtoi shpatullën dhe u detyrua të largohet nga fusha i dëmtuar. 14 minuta pas golit të pësuar, Sevilla reagoi duke barazuar me anë të Ciro Immobile.

Sulmuesi italian u gjend në vendin e duhur, në momentin e duhur, duke shënuar golin e tij të parë në kampionatit spanjoll. Pjesa e parë u mbyll 1-1. Në pjesën e dytë skuadra e Emery goditi edhe dy herë të tjera miqtë e drejtuar nga Rafa Benitez.

Banega shënoi golin e dytë, kur u mbush një orë lojë, pas pasimit të marrë nga Konoplyanka, ndërsa golin e tretë e shënoi Fernando Llorente, i aktivizuar në vend të Immobile.

Në minutën e fundit, James Rodriguez shënoi golin e dytë për Realin, por ishte shumë vonë për të shmangur humbjen e parë sezonale, që e lë skuadrën e Rafa Benitez në vendin e dytë të kampionatit, tre pikë larg Barcelonës kryesuese dhe me një pikë më shumë se Atletico Madrid e vendit të tretë.