Maqedoni

OEMVP pjesmarrëse në konferencën "Mundësitë globale me Kosovën", në Çikago.

09.11.2015 14:33

Me ftesë të veçantë dhe nën organizimin e Asosacionit të Intelektualëve, Afaristëve dhe aktivistëve Amerikano-Shqiptar, Odës Ekonomike Amerikano-Izraelite

Me ftesë të veçantë dhe nën organizimin e Asosacionit të Intelektualëve, Afaristëve dhe aktivistëve Amerikano-Shqiptar, Odës Ekonomike Amerikano-Izraelite, Qeverisë së Izraelit – Misionit ekonomik në Miduest, Asosacionit të Grave Amerikano-Shqiptare, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, në një delegacion të përbërë nga Kryetari Nebi Hoxha, Kryetari i Kuvendit, Kasam Zendeli dhe Nënkryetarit Mendi Qyra, me datë 11 dhe 12 Nëntor, do të jetë e pranishme në Konferencën Ekonomike "Mundësitë globale me Kosovën", në Çikago. 
 
Kjo është një Konferencë shumëpalëshe, në nder të znj. Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës dhe njëherit gruaja e parë që mban këtë pozitë në Ballkanin Perëndimor.
 
Programi përfshin panelistë që përfaqësojnë shtetin e Izraelit dhe zyrtarë ekonomike nga shteti i Illinois dhe qyteti i Çikagos.
 
Delegacioni me në krye znj. Jahjaga do të prezantojë mundësitë e investimit në Kosovë, rrjetëzimet e mundshme mes bizneseve shqiptaro-izraelite, mundësitë që ofron Kosova si shteti më i ri në Ballkan dhe ngjashëm.
 
Oda Ekonomike Amerikano-Izrealite shquhet për organizime të këtilla, si asosacion me peshë dhe i mirënjohur në trevat amerikanofolëse po edhe më gjërë, pasi që nga viti 1958 kur daton kjo Odë, vazhdimisht zhvillon misionin e saj për të lidhur anëtarët e saj në një rrjet global që siguron informacion jetik dhe lehtëson kontaktet e biznesit. 
 
Anëtarët e saj janë prodhues, furnizues, tregtarë me shumicë, shitës, ofruesit e shërbimeve profesionale dhe të biznesit, sipërmarrës me kapital, bankierë e investues.
 
Gjatë viteve, qindra kompani kanë gjetur mënyra të ndryshme për të rritur tregtinë e tyre ndërkombëtare përmes këtij Asosacioni. 
 
Kryetari I OEMVP-së, panelist në këtë Konferencë do të prezantojë mundësitë e bërjes së biznesit në Maqedoni, me theks të veçantë Maqedoninë Veri-Perëndimore, mundësitë për rrjetëzim me anëtarët e OEMVP-së, si dhe sektorët në të cilët janë më tepër të koncentruar bizneset shqiptare në Maqedoni.
 
Përmes pjesëmarrjes së këtilla OEMVP beson se do të kontribuon jashtëzakonisht në rritjen e bizneseve vendore, hapjes së horizonteve të reja dhe lehtësimit të atyre ekzistues. 
 
Delegacioni i OEMVP-së, përveç konferencës do të vizitojë më pas disa nga bizneset dhe afaristët më të fuqishëm shqiptarë, izraelitë dhe amerikanë të cilat kanë shfaqur interes për të hyrë në tregun ballkanas.