Maqedoni
Avokati i Popullit për taksën radio-difuzive: DAP-i kryen pagesën në kundërshtim me ligjin
09.11.2015 16:41
Zyra e Avokatit të Popullit kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Maqedonisë të marrë masa urgjente për pagesës e detyrueshme të taksës radio-difuzive nga DAP-i...

Avokati i popullit thotë se me këtë procedurë cenohen të drejtat e qytetarëve.
Nga zyra e Avokatit të Popullit kanë dërguar një raport të veçantë në Qeveri dhe Kuvend me propozime për marrjen e masave konkrete. Avokati i popullit thotë se regjistrimi i obliguesve nuk azhurnohet në kohë dhe në të vazhdojnë të jenë të përfshirë edhe personat të cilët vite me radhë janë të vendosur në qendra pranimi tek personat e pastrehë, përfitues të ndihmës sociale, madje edhe njerëz që nuk jetojnë më në Maqedoni.
“Një numër i madh i qytetarëve, në mënyrë të pabazë dhe të kundërligjshme ngarkohet me pagimin e kësaj takse. Në një numër të madh të rasteve i njëjti u arkëtohet me detyrim, borxhi i evidentuar, i pabazë nuk i shlyhet, ndërsa mjetet e arkëtuara nuk u kthehen, me çka shkelen të drejtat e qytetarëve. Ata u ekspozohen shpenzimeve pa nevojë, humbin kohë para sporteleve, duke u lodhur për të dëshmuar se borxhin tanimë e kanë paguar, ose se mbi asnjë bazë nuk mund të jenë pagues të taksës radio-difuzive për shkak se jetojnë në amvisëri familjare, pastaj sepse janë shfrytëzues të ndihmës sociale në para, ose janë persona me shikim dhe dëgjim të dëmtuar dhe ngjashëm”- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Avokati i popullit kërkon nga RTVM të miratojë akt për shlyerjen e borxheve dhe nga DAP-i t’ua kthejë paratë e qytetarëve të cilët ua ka marrë në mënyrë të kundërligjshme.
“Kërkoj nga udhëheqësia e Radio Televizionit të Maqedonisë që sot ta miratojë vendimin e nevojshëm për fshirjen e borxheve të evidentuara në mënyrë të pabazë, sepse nuk guxon t’i cenojë të drejtat e qytetarëve dhe në mënyrë të kundërligjshme të disponojë me paratë e tyre të fituara nga paga, pensioni dhe ngjashëm”- theksoi Memeti.
Nga zyra e Avokatit të Popullit theksojnë nevojën imediate për ndryshimin e Ligjit për përmbarues, duke vendosur kufizime të punës së përmbarimit, gjegjësisht të mos merren më shumë se një e treta e pagës ose pensionit për tatime vjetore ose taksa radio-difuive dhe përmbarimi të mos mund të realizohet mbi të ardhura në bazë të mbrojtjes sociale, invaliditetit, ndihmës së njëfishtë në para dhe shtesës për fëmijë.
REXHEP QAMILI
