Botë
Vota kundër Kosovës në UNESCO, ndërkombëtarët: Fyerje për ambiciet e Kosovës
09.11.2015 17:09
Mosanëtarësimi i Kosovës në Organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara ka ngjallë reagime edhe te ndërkombëtarët...

Mosanëtarësimi i Kosovës në Organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara ka ngjallë reagime edhe te ndërkombëtarët dhe ambasadorët e huaj në Kosovë, por edhe të liderëve të Kosovës. Ata e kanë konsideruar votim zhgënjyes, kur dihet se vetëm për 3 vota Kosova nuk arriti të bëhet pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare.
Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, thotë se refuzimi i ngushtë për 3 vota i Kosovës në UNESCO është një fyerje për ambiciet që ka Kosova për integrimet në organizata.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delauie, thotë se vota e sotme në UNESCO është zhgënjyese, por 92 vota tregojnë se Kosova ka një vend të rëndësishëm në bashkësinë ndërkombëtare.
Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connel, shprehu zhgënjimin e tij. Ne punuam shumë për lobim, sepse Kosova e meriton dhe ka nevojë për njohje ndërkombëtare, thotë O’Connel.
Ka reaguar edhe presidentja, Atifete Jahjaga.“Mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO është një shans i humbur për avancimin e vizionit, vlerave dhe qëllimeve që i synon kjo agjenci e OKB-së dhe promovimin e këtyre vlerave në Kosovë”.
Përkundër kësaj, Jahjaga ka theksuar se Republika e Kosovës nuk do të dekurajohet nga ky veprim, sepse, siç ka shtuar ajo, Kosova dhe shumica e shteteve të botës janë të pandalshëm në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Mediat serbe, ndërkohë, e kanë vlerësuar votimin e sotëm si fitore të Serbisë.
