Maqedoni
Prokuroria Speciale, mbeti sekret dita e parë e punës së Janevës
09.11.2015 17:41
Prokurorja speciale, Katica Janeva, bashkë me 12 prokurorët e zgjedhur sot duhej edhe zyrtarisht të niste punën...

Në ambientet e mëparshme të Agjencisë për Rini dhe Sport, që janë caktuar si ambiente pune për Janevën dhe ekipin e saj, sot nuk kishte askush. Objekti akoma po meremetohet nga punëtorë që të jetë funksional.
Se cilat kanë qenë aktivitet e para të prokurores speciale nuk bëhet publike. Sipas paralajmërimeve paraprake, Janeva është dashur që të kërkojë lëndët për shqyrtim nga Prokuroria e Krimit të Organizuar. Nga ky institucion pohojnë se Janeva akoma nuk ka shtruar kërkesë për t’ia dorëzuar lëndët.
Përderisa mbahet sekret lënda me të cilën Janeva do të nis aktivitet e saj, pjesë e ekspertëve të vendit supozojnë se me lëndën më me peshë do të niset misioni i Prokurorisë Speciale. Janeva bashkë me ekipin e saj do të kenë për detyrë që të zbardhin skandalin e përgjimeve, si dhe përmbajtjen e bisedave të përgjuara.
Ata do t’u japin përgjigje pyetjeve se kush dhe pse ka përgjuar, si dhe të shqyrtohen indikacionet për mitmarrje dhe korrupsion gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, ashtu siç pretendohet me bisedat e përgjuara. Janeva nuk ka saktësuar numrin e lëndëve që duhet të shqyrtohen përkundër pohimit të Këshillit të Prokurorëve për 27 lëndë.
Ajo që dihet është vlera e buxhetit të Janevës prej një milion eurosh.
MERAL ISMAILI
